Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet sot në Bilisht ku po zhvillon takime me qytetarët, në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit.
Pak orë më parë, Berisha ishte në Greqi, ku pati një takim me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në zonën e Selanikut.
Gjatë fjalës së tij në Bilisht, ai u shpreh se gjithnjë e më shumë shqiptarët po përqafojnë programin e Partisë Demokratike, i cili, sipas tij, ka dy synime kryesore: kthimin e parave të grabitura nga qeveria dhe krijimin e mundësive të reja për çdo fermer, biznesmen dhe qytetar.
“Shqiptarët gjithmonë e më shumë po përqafojnë programin e Partisë Demokratike që ka dy synime kryesore: të kthejë paratë që i ka grabitur qeveria dhe të krijojë një mundësi të re për çdo fermer, biznesmen, qytetar, banor të Devollit e mbarë Shqipërisë, që pas 11 majit të 2025 të mund të çelë një kapitull të ri në jetën e tij”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se aktualisht në vend po zhvillohen dy fushata: një që, sipas tij, vjen me projekte konkrete për adresimin e problemeve të qytetarëve dhe një tjetër që nuk ofron zgjidhje reale.
Berisha akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e lidhur atë me grupet kriminale dhe trafiqet ndërkombëtare.
“Rama është në marrëveshje me grupet e trafiqeve, shqiptarë të bërë të famshëm në botë, që fusin euro me kontejnerë, në prerje 500-euroshe. Vetëm njëri prej tyre, mik i qeverisë, është zbuluar se kishte transferuar në bankat e Europës 3 miliardë euro”, u shpreh Berisha para qytetarëve të Bilishtit.
Sipas tij, paratë e krimit po futen në vend përmes rrugëve të paligjshme dhe po ndihmojnë në financimin e aktiviteteve të qeverisë aktuale.
Berisha theksoi se me një qeveri të drejtuar nga Partia Demokratike, prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe rikthimi i parave të shqiptarëve.