Disa persona kanë humbur jetën pasi një makinë u përplas me turmën në një festival rruge të mbajtur të shtunën në qytetin kanadez të Vancouverit, njoftoi policia lokale.
“Një numër personash janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur,” shkroi policia e Vancouverit në një njoftim online. “Drejtuesi i mjetit është arrestuar.”
Një dëshmitar i tha CTV News se kishte parë një automjet të zi që lëvizte në mënyrë të çrregullt në zonën e festivalit para se të ndodhte përplasja me turmën. Gazeta Vancouver Sun raportoi se në atë moment në zonë ndodheshin mijëra persona, përcjell The Guardian.
“Nuk arrita ta shihja drejtuesin, vetëm dëgjova motorin që po xhironte,” tha Yoseb Vardeh, një operator kamioni ushqimor, për Postmedia.
“Kur dola jashtë, pashë rrugën dhe trupat ishin të shpërndarë kudo,” tha ai me zë të dridhur.
“Ai përshkoi të gjithë bllokun, drejtpërdrejt nëpër mes.”
Ngjarja ndodhi pak pas orës 20:00, pranë kryqëzimit të East 41st Avenue dhe Fraser Street, në lagjen Sunset on Fraser, në një moment kur komuniteti filipinas i Vancouverit ishte mbledhur për të festuar Ditën e Lapu Lapu-së, bëri të ditur kryebashkiaku i qytetit, Ken Sim.
Festivali përkujton Lapu Lapu-n, një udhëheqës filipinas kundër kolonizimit në shekullin e 16-të.
“Kujtimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe me komunitetin filipinas të Vancouverit gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë,” shkroi Sim.
Edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, reagoi ndaj tragjedisë: “Jam i shkatërruar nga ngjarja e tmerrshme që ndodhi në festivalin e Lapu Lapu-t në Vancouver këtë mbrëmje. Të gjithë jemi në zi bashkë me ju.”