Rama nga Vlora: Të ardhurat për frymë janë trefishuar, synojmë papunësinë 6% deri në 2030-ën


Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me studentë dhe pedagogë në qytetin e Vlorës, ku ka folur për ecurinë ekonomike të Shqipërisë dhe sfidat për të ardhmen.

“Shqipëria ka nivelin më të lartë të rritjes së prodhimit të përgjithshëm në rajon, referuar të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar,” tha Rama gjatë fjalës së tij.

Ai theksoi gjithashtu se të ardhurat për frymë në vend janë aktualisht tre herë më të larta sesa në kohën kur qeveria e tij mori detyrën.

Në vijim, kryeministri bëri një sqarim lidhur me diskutimet mbi papunësinë: “Dua të bëj një shpjegim të shkurtër, sepse medemek papunësia ka rënë se ka rënë popullsia. Nuk ka rënë me 1 milion, siç predikon propaganda negative ndaj Shqipërisë, dhe këtë e tregon edhe Censusi. Sot Shqipëria është 2.4 milionë, ndërkohë që në 2012 ka qenë 2.8 milionë.”

Rama nënvizoi edhe objektivin e qeverisë për vitin 2030, ku u shpreh se qëllimi është që në Shqipërinë e vitit 2030 të ulet niveli i papunësisë në mesataren e Bashkimit Europian, në 6%.