Afera “Partizani” – GJKKO rrëzon kërkesat e Berishës për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesat për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi nga çështja “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë të përfshirë.

Kërkesat për përjashtim u paraqitën në seancën e 24 prillit, me pretendimin se gjyqtarja Davidhi ishte e njëanshme. Megjithatë, sot gjyqtarja Etleva Deda vendosi shpalljen e tyre të papranueshme, duke argumentuar se mungonin shkaqe të justifikuara ligjërisht.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, u shqyrtuan katër kërkesa të veçanta:

  1. Kërkesa e Sali Berishës, paraqitur nga mbrojtësit e tij, u shpall e papranueshme për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve për të paraqitur kërkesën.

  2. E njëjta arsyetim u dha edhe për kërkesën e shoqërisë “Homeplan” sh.p.k.

  3. Kërkesat e Jamarbër Malltezit dhe Andia Pustinës u hodhën poshtë si të papranueshme.

Seanca e radhës është caktuar për datën 5 maj, ku pritet që gjyqtarja Davidhi të vendosë nëse çështja “Partizani” do të kalojë për gjykim apo jo.

Njoftimi i GJKKO:

Janë paraqitur katër kërkesa. Nga gjykata është vendosur si më poshtë:

1. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, paraqitur nëpërmjet mbrojtësve, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.

2. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkueses shoqërisë tregtare “Homeplan” sh.p.k, paraqitur nëpërmjet avokatit, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.

3. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Jamarbër Malltezi.

4. Shpalljen e papranueshme të kërkesës së kërkueses Andia Pustina.