Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Basha u prezantoi sot qytetarëve të Njësisë 10 në Tiranë programin e forcës politike që drejton.
Ndërsa prezantoi gjithashtu kandidatët Neli Demi, Diana Toma, Irsida Shehi, ai tha se korrupsioni dhe keqqeverisja e kryeministrit Rama e ka çuar vendin në zgrip.
“Ne do vendosim taksën e sheshtë në masën 9%, heqim TVSH-në për biznesin e vogël si dhe vendosim lehtësira të vërteta për hapjen dhe formalizimin e çdo nisme të ndershme. Për familjet e reja, do japim subvencione për strehimin e çifteve të reja, dyfishim të ndihmës për nënat kryefamiljare dhe deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë.” – tha Basha.
Më tej ai tha se një program i veçantë mbështetjeje u është caktuar të rinjve.
“Për të rinjtë japim 100 milionë euro investime për programin NextGen në 4 vite, praktika të paguara, mbështetje për start-up-et dhe bursa për vajzat, shkolla me orar të zgjatur, drekë të garantuar dhe kushte që i japin vlerë arsimit publik.” – shtoi Basha.