Berisha prezanton planin për sektorin fason: Kompensim për humbjet nga euro dhe ulje të çmimit të energjisë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar propozimet e tij për mbështetjen e sektorit fason, gjatë një takimi me përfaqësues të këtij biznesi, në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit.

Në fokus të propozimeve ishte zbutja e pasojave nga rënia e euros ndaj lekut dhe ulja e kostove të energjisë për bizneset prodhuese.

“Në qeverisjen tonë do të ndërmarrim një revolucion fiskal. Do të krijojmë klimën më miqësore për biznesin,” deklaroi Berisha.

Ai tha se një nga masat e para do të jetë kompensimi i plotë për humbjet që bizneset eksportuese kanë pësuar nga kursi i këmbimit.

“Çdo eksportues do të ketë një bord që do të kompensojë qindarkë për qindarkë humbjet nga rënia e euros,” u shpreh Berisha.

Një tjetër masë e parashikuar është ulja e çmimit të energjisë elektrike për biznesin fason nga 18 lekë në 6 lekë për kilovat, çka sipas tij do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Në vijim të takimit, Berisha kritikoi politikat aktuale qeverisëse, duke i lidhur ato me emigrimin masiv dhe rënien e lindshmërisë. Sipas tij, mbi 600 mijë të rinj kanë emigruar gjatë dekadës së fundit, çka ka krijuar boshllëk në tregun e punës dhe ka ndikuar në dobësimin e ekonomisë.

“Rënia e euros është një goditje për prodhuesit që eksportojnë. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për t’i mbështetur,” përfundoi Berisha.