Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shqyrton detyrimet e Izraelit për ndihmën humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka nisur shqyrtimin e çështjes që lidhet me detyrimin e Izraelit për të lehtësuar dhënien e ndihmës humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, përcjell BBC.

Rasti vjen pas një kërkese nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vitin e kaluar, e cila kërkoi nga gjykata një opinion këshillimor pasi Izraeli ndaloi veprimtarinë e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Që prej muajit mars, Izraeli ka bllokuar të gjitha dërgesat e ndihmës për në Gaza, duke shtyrë organizatat ndërkombëtare të paralajmërojnë për mungesë ekstreme ushqimi dhe një krizë humanitare në përshkallëzim.

UNRWA mbetet ofruesi kryesor i ndihmës për palestinezët në Gaza, megjithatë Izraeli e ka akuzuar atë për infiltrime nga Hamasi – një pretendim që është kundërshtuar nga shumë palë.

Seancat janë hapur me paraqitjet e përfaqësuesve të OKB-së dhe të Autoritetit Palestinez, ndërsa në vijim do të flasin përfaqësues nga 38 shtete.

Izraeli ka njoftuar se nuk do të bëjë një paraqitje gojore këtë javë. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, deklaroi të hënën në mëngjes se OKB-ja “është shndërruar në një trup të kalbur, anti-izraelit dhe antisemitist”.

Seancat pritet të zgjasin pesë ditë, deri të premten. Opinionin këshillimor, i cili nuk do të jetë detyrues, gjykata pritet ta publikojë pas disa muajsh.