Kodheli: Diaspora do të sjellë një mandat më shumë për PS-në


Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Tiranë, Mimi Kodheli, ka komentuar situatën politike dhe fushatën zgjedhore, ndërkohë që zgjedhjet e 11 majit janë gjithnjë e më afër. Ajo theksoi se është e rëndësishme të kuptohet dhe të interpretohet drejt vota, duke theksuar se është më e rëndësishme se sa Kodi Zgjedhor.

“Një nga çështjet kyçe është leximi i drejtë i votës. Kodi Zgjedhor mund të ketë rëndësinë e tij, por ka abuzime që lidhen me votimin familjar dhe përpjekjet për të ndikuar votuesit, që shpesh nuk përqendrohen në vlerat e kandidatëve ose të forcave politike”, deklaroi Kodheli.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që ajo vlerësoi ishte pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje, e cila do të ketë një ndikim të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar. Sipas Kodhelit, vota e shqiptarëve jashtë vendit mund të sjellë një mandat më shumë për Partinë Socialiste në Tiranë.

Përsa i përket garës në listën e hapur të kandidatëve, Kodheli pranoi se ekziston konkurrencë dhe xhelozi brenda forcave politike, por theksoi se kjo është diçka normale dhe natyrale në çdo proces zgjedhor.

“Në çdo forcë politike ka interesa të ndryshme, por ky është një proces që e marr me qetësi dhe kalon lehtësisht”, shtoi ajo.

Kodheli shprehu gjithashtu mendimin se, ndonëse sistemi zgjedhor aktual ka mangësi, sfida kryesore për të gjithë është respektimi i ligjit dhe menaxhimi i procesit zgjedhor në mënyrë të drejtë.

Në përfundim, kandidatja e PS-së u shpreh se java e fundit e fushatës duhet t’i kushtohet menaxhimit të punës së bërë deri tani, për të siguruar pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve në votime.

“Është ngritur një mini-infrastrukturë për të mundësuar pjesëmarrjen dhe tani duhet ta menaxhojmë me përgjegjësi,” theksoi Kodheli.