Mafia siçiliane e Montrealit dhe Hells Angels bëjnë paqe pas luftës shumëvjeçare


Të përplasur në një luftë të përgjakshme jo shumë kohë më parë, klani sicilian i mafies së Montrealit dhe një grup i Hells Angels të Montrealit, të udhëhequr nga Martin Robert thuhet se kanë vendosur të bëjnë paqe muajt e fundit, përballë rritjes së grupeve të tjera që kërcënojnë hegjemoninë e tyre.

“Aktualisht, ne shohim se ka vërtet një armëpushim të mundshëm midis grupeve të caktuara kriminale, duke përfshirë Hells Angels dhe mafian italiane,” thotë Francis Renaud, komandant i Divizionit të Krimit të Organizuar të Montrealit (SPVM).

Në vitin 2023, Hells Angels të Montrealit dhe klani Rizzuto u përplasën për kontrollin e basteve sportive të paligjshme, të njohura më mirë si “Libri”, sipas një teorie policore.

Leonardo Rizzuto u qëllua teksa hipi në makinën e tij në mars 2023.

Leonardo Rizzuto

Përplasja kulmoi me atentatin ndaj Leonardo Rizzutos, djalit më të vogël të bosit të ndjerë të mafies Vito Rizzuto, në mars 2023, dhe vrasjen e një ish-togeri të klanit, Francesco Del Balso, tre muaj më vonë.

Por që nga viti i kaluar, grupet e reja kanë filluar të fusin duart në bizneset e organizatave të mëdha kriminale dhe të konkurrojnë me to në disa nga aveprimtaritë e tyre tradicionale si zhvatja dhe importimi dhe shpërndarja e kokainës.

Në të njëjtën kohë, Hells Angels janë përballur me një rebelim në pjesën lindore të provincës për më shumë se një vit.

“Bashkimi”

Gjatë pushimeve, drejtuesi i një podcasti për krimin në Detroit, SHBA, njoftoi, duke cituar burime, se një marrëveshje paqeje u arrit midis Martin Robert dhe Leonardo Rizzutos në një restorant në Montreal rreth mesit të dhjetorit.

Në ditët dhe javët që pasuan, La Presse u përpoq më kot të konfirmonte informacionin nga burime në qarqet policore, gjyqësore dhe kriminale, derisa mësoi se në janar, njeriu që policia e konsideron mbrojtës të klanit sicilian, Pietro D’Adamo, kishte darkuar me Martin Robertin në një restorant në Montreal. Dy burrat thuhet se shoqëroheshin secili nga një truproje.

Martin Robert

Pa e konfirmuar këtë informacion, komandanti Renaud megjithatë është në gjendje të pohojë se policia po vëzhgon vërtet një ulje të tensioneve midis klanit Rizzuto dhe grupit të Martin Robertit.

“Ne kemi parë një armëpushim midis dy organizatave kriminale dhe kemi vëzhguar fakte në terren që e dëshmojnë këtë. Ne besojmë se aktualisht ekziston një fare bashkimi midis organizatave kriminale, të cilët kanë vendosur të krijojnë një aleancë, apo edhe vetëm një pat mossulmi “, vijon komandanti Renaud.

Pietro D’Adamo, 54 vjeç, nga Île-Perrot, u arrestua në mars së bashku me tre burra të tjerë pasi një ekip SËAT i policisë së Montrealit bastisi automjetin në të cilin po udhëtonin. Të katër u akuzuan për armëmbajtje pa leje.

 

D’Adamo

Aleancë shumëvjeçare

Që nga vdekja natyrore e Vito Rizzuto në dhjetor 2013, mafia, motoçiklistët dhe bandat kanë krijuar një aleancë për të sunduar krimin e organizuar të Montrealit.

Kësaj i ishte prerë koka në Operacionin Magot-Mastiff në nëntor 2015, por vijoi deri në një luftë midis sicilianëve dhe grupit të Martin Robertit në vitin 2023 dhe kreu i bandës Gregory Ëoolley, i cili ushtronte njëfarë kontrolli mbi rrugët në Montreal, u vra në nëntor të po atij viti.

Komandanti Renaud pohon se prej disa muajsh ka një qetësi brenda organizatave të larta kriminale, sepse janë të vetëdijshëm se kërcënimi vjen nga poshtë.

“Ne kemi grupe në zhvillim që duan të zënë vendin e tyre dhe që nuk tremben nga termat motoçiklistë dhe mafia. Mafia dhe motoçiklistët kanë parë prej kohësh njerëz rebelë që duan të zënë vendin e tyre,” thotë ai.

Këto grupe në zhvillim janë të patrembur. Ata do përdorin dhunën, kështu që mund të bëhet problem për mafian ose motoristët.

“Aktualisht, në skenën e krimit të organizuar në Montreal, nuk funksionin më skema përça e sundo, por krejt e kundërta. Në vend të kësaj, ata zgjedhin skemën bashkim e pushtim. Organizatat nuk kanë zgjidhje tjetër. Gjërat po ndryshojnë tani dhe disa organizata kriminale duhet të krijojnë aleanca me të tjera për të mbijetuar, diçka që nuk e kemi parë kurrë në të kaluarën”, thotë Francis Renaud.

La Presse ka vënë në dukje gjithashtu se keqbërjet ose aktet e dhunës kanë shënjestruar të paktën tre tregtarë ose sipërmarrës në lagjen Saint-Léonard ose në rrethin e Italisë së Vogël në javët e fundit.

Një pastiçeri në rrugën Dante ishte shënjestër e të shtënave gjatë pushimit të gjatë të Pashkëve dhe na është thënë se shitësve u kërkohet të paguajnë mijëra dollarë në muaj në këmbim të mbrojtjes së supozuar.

Gregory Woolley u vra në Saint-Jean-sur-Richelieu në nëntor 2023

Sipas komandantit Renaud, nuk ka domosdoshmërisht një fije e përbashkët që kalon nëpër të gjitha këto ngjarje. Ai kundërshton, të paktën për momentin, të flasë për fillimin e një vale të re zhvatjeje, por shton se oficerët e SPVM-së mbeten në vëzhgim.

“Pronarët që po zhvaten dhe u kërkohet para duhet të telefonojnë policinë dhe të na bëjnë të ditur para se të dorëzojnë lekët. Ne kemi informacione të brendshme që tregojnë për njerëz që mund të burgosen pikërisht tani. Ne kemi objektiva dhe do mbikëqyrim nga afër”, përfundon komandanti Renaud.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani