Kryeministri Edi Rama ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë me Qendrën Spitalore Universitare “San Raffaele” dhe universitetin “Vita-Salute San Raffaele” të Italisë.
Ky partneritet ka si qëllim ngritjen e niveleve të kujdesit dhe edukimit mjekësor në Shqipëri në përputhje me standardet evropiane.
Rama e cilësoi këtë marrëveshje si një moment historik për shëndetësinë shqiptare dhe shprehu ambicien për transformimin e QSUT në një qendër ekselence për Ballkanin dhe Europën. Përveç QSUT, synohet përmirësimi dhe avancimi i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.
“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, për QSUT, por edhe për vetë Shqipërinë. Sot hapim një faqe krejt të re, në një rrugë që ka qenë e gjatë, jo e lehtë dhe kishte një pikënisje që të thuash dëshpëruese është pak, në një sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë ka qenë ajo e profesionistëve që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë.
Ndërkohë as nuk mendonin më dot se një ditë kushtet do të bëheshin ato që janë sot. Përsëri ne jemi shumë më ambicioz. Nuk jemi të kënaqur me çfarë kemi arritur. Duam të shkojmë më tutje. Ambicia është që të bëjmë këtë qendër si pikë referimi të Ballkanit dhe ka kthejmë në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë.
Synimi është që deri në 2030, nga njëra anë QSUT të pësojë atë transformim që grupi i San Raffaeles ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, menaxhimin e qendrës, në organizimin e gjithë jetës përditshme të qendrës dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë profesionistët e të dyja anëve, San Raffaeles dhe QSUT. E njëjta ambicie është edhe për universitetin.
Kemi shembullin e Universitetit BOKU të Vjenës, që ka filluar procesin e shkrirjes me UBT, që në fund të kësaj dekade, të vijnë studentë nga e gjithë Evropa për të studiuar me të gjithë parametrat e Universitetit të Vjenës dhe për të marrë një diplomë të njëjtë.
Qëllimi është i njëjti që Universiteti i Mjekësisë të merret e njëjta diplomë si të atij i San Raffaeles dhe Tirana të jetë degë e universitetit të San Raffaeles. Ky është objektivi i fundit të dekadës.”, u shpreh Rama.