Dy deputetet italiane të Partisë Demokratike, Rachele Scarpa e Cecilia Strada kanë denoncuar zhdukjen e 16 emigrantëve të sjellë në kampin e Gjadrit në Shqipëri. Ato kanë deklaruar se nuk u është dhënë asnjë informacion zyrtar për pyetjet e tyre.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, e cila nuk ka dhënë komunikime zyrtare për këto riatdhesime, “disa emigrantë janë riatdhesuar, të tjerë janë liruar për arsye shëndetësore, të tjerë kanë bërë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare”.
16 emigrantë nga 41 të dërguar në qendrën e pritjes në Gjadër në Shqipëri janë të zhdukur. Deputetja Rachele Scarpa dhe eurodeputetja Cecilia Strada e Partisë Demokratike denoncuan me një shënim këtë mister të ndodhur në Shqipëri, pasi eurodeputetja kreu një inspektim gjatë fundjavës në qendrën e ndërtuar nga kryeministrja Meloni, shkruan Domani.
Emigrantët mbërritën më 11 prill, të shoqëruar nga forcat e rendit italian dhe me shirita dore, duke shkaktuar kritika nga opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut. Në fakt, sipas inspektimit të fundit të kryer gjatë fundjavës, në qendër ishin vetëm 25 persona.
Sipas Scarpas dhe Stradas, “asnjë informacion zyrtar nuk është dhënë në përgjigje të pyetjeve tona dhe as qasje në dokumentet, ndaj duhet ta nxjerrim përfundimin duke kryqëzuar informacionin publik, regjistrin e ngjarjeve, informacione nga avokatët”.
Bëhet e ditur se një person është kthyer mëngjesin e 12 prillit pa u futur në qendrën e pritjes në Gjadër, ndërsa nga 15 të tjerë të zhdukur, thuhet në shënim.
“Besojmë se ka gjasa që 6 të jenë kthyer në Itali për shkak të mosvleftësimit të ndalimit, 5 për shkak se janë vlerësuar, pas episodeve të vetëdëmtimit apo çështjeve shëndetësore, si të papërshtatshëm për jetën në një vend të kufizuar me origjinë dhe komunitetin e tyre.”
Pozicioni i Ministrisë së Brendshme të Italisë
Sipas Domani, Ministria e Brendshme konfirmoi se “disa emigrantë janë riatdhesuar, të tjerë janë liruar për arsye shëndetësore dhe disa të tjerë pas kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare”. Nuk ka informacion më të saktë mbi modalitetet e kthimit në Itali dhe si ka ndodhur.
Edhe në rastin e fundit, emigrantët u kthyen në Itali përpara riatdhesimit, siç e kërkon ligji, duke rezultuar në kosto të mëtejshme për shtetin.
Gjatë samitit Med5 në Napoli, Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi siguroi se “nuk ka disekonomi të dukshme dhe të prekshme përveç atyre konceptuale dhe ideologjike në lidhje me qendrën e pritjes në Shqipëri dhe strukturat e tjera që do rifillojnë tani”.
Projekti, megjithatë, tani për tani ngre pyetje në lidhje me qëndrueshmërinë e tij ekonomike dhe çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu në dritën e këtij kthimi të ri në Itali, Scarpa dhe Strada nënvizojnë shumë çështje kritike të përdorimit të qendrës shqiptare për pritjen dhe trajtimin e emigrantëve: “Emigrantët në qendrën e pritjes flasin vetë dhe vërtetojnë historinë dramatike të një operacioni të kryer me nxitim, sipas kritereve të pakuptueshme të përzgjedhjes së njerëzve që do të transferoheshin, në një klimë që pengonte në thelb ushtrimin e plotë të pushtetit dhe të parlamentit, shpërfillje e qëllimshme për dobësitë e individëve, të cilat janë shfaqur vazhdimisht që nga dita e parë”.
Ngjarjet e rënda
Regjistri i konsultuar tregon të paktën 35 ngjarje të rënda në trembëdhjetë ditët e para të hyrjes në veprim të qendrës së pritjes. Shumica e tyre i referohen vetëlëndimit dhe tentativave për vetëvrasje. Në disa raste ishte e nevojshme t’u drejtoheshin spitaleve shqiptare.
Kjo ngre gjithashtu, sipas Scarpa dhe Strada, “shqetësim të thellë në lidhje me garancitë e mbrojtjes së të drejtës për shëndet”. Gjithashtu për shkak se, siç duket nga regjistri i ngjarjeve kritike që çdo qendër pritjeje duhet të mbajë, disa emigrantë marrin droga psikotrope me qëllimin e deklaruar për të kapërcyer gjendjen në të cilën ndodhen.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Domani
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani