Një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën të dielën, pasi një varkë u përplas me një traget pranë Urës Memorial Causeway në Clearwater dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, njoftuan autoritetet.
Departamenti i Policisë së Clearwater bëri me dije në rrjetin X se përplasja u shpall “incident me viktima masive” nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, për shkak të numrit të lartë të të lënduarve.
Të gjithë të plagosurit ishin pasagjerë të tragetit, i cili transportonte mbi 40 persona.
Trageti ndaloi në një zonë me rërë në jug të urës Memorial Causeway dhe të gjithë pasagjerët u evakuuan.
Policia nuk ka dhënë ende informacion mbi identitetin e viktimës, as mbi varkën që u largua pas përplasjes.
Gjithashtu, nuk është bërë i ditur numri i saktë i të plagosurve, ndërsa spitalet lokale janë vënë në alarm dhe dy nga të plagosurit më rëndë janë transportuar me helikopter.
Pamjet në rrjetet sociale tregojnë reaguesit e parë duke nxituar në vendin e ngjarjes me dritat ndezur.
Policia ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin në xhadenë Memorial.
Roja Bregdetare e SHBA dhe Komisioni për Ruajtjen e Peshkut dhe Botës së Egër në Florida kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton AP.