Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre. Sipas BW, Mazniku ka dhënë dëshminë e tij rreth tre javë më parë, për më shumë se katër orë.
Hetimi është çelur pas një kallëzimi të dorëzuar nga ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore. Kallëzimi ka të bëjë me asfaltimin e rrugës “Xhon Belushi” nga punonjësit e bashkisë, në një kohë kur procedura e tenderit ishte ende e hapur dhe ende nuk ishte shpallur kompania fituese.
Në kohën e ngjarjes, Mazniku ushtronte funksionin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe, sipas burimeve nga organi i akuzës, kishte rolin e autoritetit kontraktor në këtë proces.
Pas denoncimit publik dhe mediatik, tenderi u anulua, ndërsa kallëzimi penal përfshinte edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Prokuroria e Tiranës është ende në fazën e vlerësimit të provave dhe, sipas burimeve të brendshme, po shqyrton mundësinë e kalimit të dosjes për kompetencë tek SPAK, për shkak të dyshimeve mbi natyrën e veprave penale të përfshira.