Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Partisë Demokratike, sipas të cilave ai nuk mori pjesë në funeralin e Papës për shkak se pritej të udhëtonte drejt Beogradit për të takuar djalin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Rama i ka cilësuar këto pretendime si “çmenduri”, duke theksuar se akuzat kanë shkuar aq larg sa kanë detyruar edhe familjen e Trump të reagojë për t’i mohuar ato.
“Sot, përmes një çyryku që e mban afër, kanë futur në lojë edhe familjen e presidentit Trump. Sipas tij, unë paskam bërë një përpjekje për të shkuar në Beograd, prandaj nuk mora pjesë në ceremoninë mortore të Papës, sepse prisja të shkoja atje, ku do të ndodhej edhe djali i Trump. Unë, së bashku me vëllain tim Vuçiçin, do të futesha si fanti spathi dhe do ta përshëndesja. Por kjo nuk ndodhi, sepse dështoi… Deri këtu i dimë këto histori. Por, kur sheh që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA-së të mohojnë këtë çmenduri, realisht të vjen turp”, deklaroi Rama.
Në vijim, ai hodhi akuza për ata që, sipas tij, paguajnë shuma të mëdha parash për të ndërtuar lidhje të rreme me personalitete të njohura:
“Përfundimisht, askush atje nuk i njeh këta njerëz, përveç atyre që paguajnë 6 milionë dollarë. Sepse, edhe nëse çohet Lymi i Tytit të paguajë 6 milionë dollarë, vjen Latifi dhe na e prezanton si njeri shumë të rëndësishëm. Me 6 milionë dollarë, Latifi vjen pa problem për të folur edhe në dasmën e Lymit të Tytit. Problemi është që pa ato 6 milionë dollarët, askush nuk di kush është Lymi”, tha Rama.