Kryeministri Edi Rama deklaroi se në vitin 2024 u arrit ulja më e madhe e papunësisë që nga vitet 1990, duke zbritur në nivelin 8.8 përqind.
Gjatë një vizite në Petrelë, Rama theksoi gjithashtu se pagat po vijojnë të rriten si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
“Sot kemi nivelin më të madh të uljes së papunësisë. Në vitin 2024 pati një rënie njëshifrore, në 8.8 përqind. Këto nuk janë piktura, nuk janë opinione. Janë shifrat e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë. Kur morëm detyrën, ishin 1.023.000 të punësuar; tani kemi 1.327.000 të punësuar. Janë 300 mijë e pak më shumë apo nuk janë? Kjo është ajo që kemi thënë dhe ajo që kemi bërë”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se këto janë të dhëna reale, duke nënvizuar se sektori privat vazhdon të rrisë pagat, ndërsa në sektorin publik paga mesatare ka arritur në 1000 euro, me projeksion për të arritur në 1200 euro.