Gjatë një takimi me banorët e Petrelës këtë të hënë, kryeministri Edi Rama tha se në 12 vitet e qeverisjes së tij, shteti ka investuar 2.17 miliardë euro në Qarkun Tiranë, duke mbështetur projekte në sektorë të ndryshëm.
Rama theksoi se investimet janë realizuar në fusha të tilla si bujqësia, shëndetësia, arsimi, infrastruktura dhe rinovimi urban, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe zhvillimin e zonave rurale.
“Përgjatë kësaj periudhe, kemi realizuar 64 projekte në bujqësi, duke investuar 38 milionë euro. Në shëndetësi dhe kujdes social, janë realizuar investime prej 290 milionë eurosh, të cilat nuk përfshijnë vetëm QSUT-në, por përfshijnë gjithashtu investime në territor,” shpjegoi Rama.
Ai shtoi se arsimi ka përfituar 235 milionë euro për 178 projekte, ndërsa rindërtimi ka kushtuar 60 milionë euro dhe ka mundësuar hapjen e 16 mijë dyerve të reja për familjet që kanë pësuar dëme nga tërmetet.
Në fushën e infrastrukturës, Rama theksoi se janë investuar 332 kilometra rrugë të reja, përfshirë edhe rrugë të asfaltuara dhe “rrugë të bardha” që kanë siguruar 95% të aksesit për zonat rurale.
Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e projekteve në energji dhe ujësjellës-kanalizime, ku janë investuar respektivisht 36 milionë dhe 49 milionë euro.
“Vetëm në Qarkun e Tiranës kemi investuar si shtet duke bërë të hapura ato lehtësira që ishin më parë, 2.17 miliardë euro,” u shpreh Rama, duke shtuar se këto janë shifra të vërteta që pasqyrojnë përpjekjet dhe angazhimin për zhvillimin e rajonit.
Kryeministri theksoi gjithashtu investimet në sektorin e kulturës dhe turizmit, duke bërë të mundur një lidhje më të ngushtë mes kulturës dhe zhvillimit turistik në kryeqytet.