Lavrov sulmon BE-në dhe Kievin: Po pengojnë planet e armëpushimit


Në vazhdën e kërcënimeve të reja për sanksione nga Donald Trump, Rusia ka zbutur tonet ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se qëndrimet e të dy vendeve mbi Ukrainën “përkojnë” dhe duke fajësuar Bashkimin Evropian dhe Kievin për pengimin e paqes.

“Është ende shumë herët për të folur për kushtet e një marrëveshjeje për Ukrainën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për gazetarin e kanalit Rossiya1, Pavel Zarubin. Megjithatë, ai shtoi se “shumë elementë në qasjen e Trump përkojnë me pozicionin e Rusisë”.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një intervistë për programin “Face The Nation” të televizionit CBS, akuzoi Bashkimin Evropian se, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, po përpiqen të përdorin nismën e paqes të propozuar nga Trump për të forcuar Ukrainën, duke injoruar dëshirat e Shtëpisë së Bardhë.
“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kanë deklaruar se do të mbështesin vetëm një marrëveshje që e bën Ukrainën më të fortë dhe fituese”, tha Lavrov. “Nëse ky është qëllimi i armëpushimit, atëherë nuk mendoj se është ajo që dëshiron presidenti i SHBA-së”.

Lavrov, gjithashtu, komentoi sulmin ajror rus ndaj Kievit, i cili shkaktoi të paktën 12 viktima dhe nxiti Trump të shkruante në rrjetet sociale “Vladimir, Stop!”. Ai këmbënguli se objektivat e goditura “nuk ishin civile”, duke sqaruar se Rusia do të vazhdojë të godasë “objekte të përdorura nga ushtria ukrainase, mercenarë të huaj dhe instruktorë evropianë që ndihmojnë në sulmet ndaj caqeve civile ruse”.
Sa i përket centralit bërthamor të Zaporizhzhias, Lavrov deklaroi se Rusia nuk ka marrë asnjëherë një propozim për të bashkëpunuar në menaxhimin e tij.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin nuk i është përgjigjur publikisht kërcënimeve të Trump. Sipas Peskov, Putin ka vazhduar të festojë “çlirimin” e rajonit jugor të Kurskut nga trupat ukrainase, duke përgëzuar komandantët për “fitoren” dhe “punën heroike”.
Megjithatë, pretendimi për çlirimin e rajonit është hedhur poshtë si nga presidenti ukrainas Zelensky, ashtu edhe nga korrespondentë ushtarakë rusë. Një prej tyre, i njohur si një “blogger Z” me mbi 250 mijë ndjekës, ka shkruar: “Nuk dua t’ju prish festën, por rajoni i Kurskut nuk është çliruar plotësisht. Përkundrazi, forcat tona u detyruan të ndërmarrin një sulm që përfundoi me disfatë totale”./La Repubblica