Shkollë e re në Astir, Manastirliu: Nga 50% e shkollave me dy turne, kanë mbetur vetëm 25%


Në Njësinë Administrative nr. 14 në zonën e Astirit ka nisur ndërtimi i një shkolle të re 9-vjeçare, e cila do të përfshijë gjithashtu një kopsht dhe çerdhe. Projekti po realizohet në rrugën “Muharrem Çaushi” dhe është një investim i qeverisë shqiptare, në përgjigje të nevojave arsimore të komunitetit të zonës.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një inspektimi në kantier, tha se ky projekt është pjesë e një qasjeje të re për planifikimin e infrastrukturës arsimore në kryeqytet.

“Duhet të ecim me një plan të ri për caktimin e objekteve arsimore për Tiranën, që të shoqërohet edhe me shpronësimet ose me partneritetet kur marrim lejen e ndërtimit, që të lëshojnë territor për shkollën,” u shpreh Rama.

Shkolla do të ketë kapacitet për 900 nxënës dhe do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Europian. Ajo do të përfshijë 30 klasa mësimi, 8 laboratorë, bibliotekë, palestër, terrene sportive dhe hapësira të gjelbëruara. Parashikohet gjithashtu krijimi i klasës burimore për nxënës me aftësi ndryshe dhe përfshirja e mësuesve ndihmës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se kjo shkollë është pjesë e një programi më të gjerë për të përmirësuar aksesin në arsim në zonat në zhvillim të Tiranës.

“Do të jenë 900 nxënës, kryesisht në gjithë ciklin e arsimit 9-vjeçar, por do të kemi edhe dy klasa parashkollore. Gjithashtu, përfshijmë klasën burimore si standard në çdo shkollë të re,” tha Manastirliu.

Ajo shtoi se me ndërtimin e shkollave të reja është reduktuar ndjeshëm numri i shkollave me mësim me dy turne.

“Nga mbi 50% e shkollave me dy turne, aktualisht kanë mbetur vetëm 25. Me pesë shkolla të reja në ndërtim dhe rritjen e kapaciteteve, synimi është që ky fenomen të eliminohet në katërvjeçarin e ardhshëm,” deklaroi ministrja.