Trump: Mendoj se Zelensky është gati të heqë dorë nga Krimea, pavarësisht deklaratave të mëparshme


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mendon që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm të heqë dorë nga Krimea, pavarësisht qëndrimeve të mëparshme të këtij të fundit mbi gadishullin e Detit të Zi, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Duke folur me gazetarët në një aeroport në New Jersey të dielën, një ditë pasi u takua me Zelenskyn në Vatikan, Trump u përgjigj: “Po, ashtu mendoj”, ndaj një pyetjeje nëse mendonte se Zelensky ishte i gatshëm të “hiqte dorë” nga territori.

Vetëm një javë më parë, Zelensky deklaroi se Ukraina nuk mund të pranonte njohjen nga SHBA e aneksimit të Krimesë nga Rusia, pasi Trump e kishte akuzuar për kokëfortësi në këtë çështje. Të premten, Zelensky përsëriti se Krimea ishte “pronë e popullit ukrainas”.

Ai nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të fundit të Trump, sipas The Guardian.

Dy plane paqeje të publikuara nga Reuters të premten tregonin se SHBA po propozonte që Moska të mbante territoret e pushtuara, përfshirë gadishullin strategjik të Krimesë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi të dielën se propozimi amerikan për t’i dhënë territore Rusisë ishte “i barabartë me një kapitullim”.

Në një intervistë për transmetuesin ARD, Pistorius theksoi se Kievi është i vetëdijshëm se një marrëveshje paqeje mund të përfshijë kompromis territorial, por “kurrsesi në përmasat që parashikon propozimi i fundit i presidentit amerikan”.

Sipas tij, Ukraina do të kishte mundur të arrinte një marrëveshje të tillë që një vit më parë.

Megjithë komentet për Krimenë, Trump shprehu njëfarë simpatie të re për Zelenskyn, duke thënë se ai “dëshiron të bëjë diçka të mirë për vendin e tij” dhe se “po punon shumë”.

Duke reflektuar mbi bisedën me presidentin ukrainas, Trump tha se ishte “i befasuar dhe i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer” nga bombardimet ruse në Ukrainë pas takimeve midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të paqes së Trump, Steve Witkoff. “Isha shumë i zhgënjyer që raketat po fluturonin nga Rusia”, tha ai.

Sa i përket marrëdhënieve me presidentin Putin, Trump u pyet nëse i besonte atij. “Do t’ju them pas dy javësh”, u përgjigj ai. Kur u shty të elaboronte, Trump shmangu përgjigjen e qartë: “Dy javë ose më pak”, tha ai, duke shtuar se “po humbin shumë njerëz. Çdo javë humbin 3 deri në 4 mijë vetë.”

Trump shtoi se marrëdhënia e tij me Zelenskyn ishte përmirësuar pas takimit ballë për ballë në Vatikan: “Nuk ka qenë kurrë e keqe. Patëm një mosmarrëveshje të vogël, sepse unë nuk isha dakord me diçka që ai tha, dhe kamerat po filmonin. Ishte në rregull për mua.”

Ai e përshkroi Zelenskyn si “më të qetë” sesa herën e fundit që ishin takuar në Zyrën Ovale në shkurt, duke shtuar: “Mendoj se ai e kupton tani situatën dhe dëshiron të arrijë një marrëveshje.”

Në fund, Trump pretendoi gjithashtu se kishte pasur “pak përparim” në bisedimet tregtare me Kinën, megjithëse zyrtarët kinezë kanë deklaruar se bisedime të tilla nuk po zhvillohen.

 “Ata duan një marrëveshje, padyshim”, tha Trump. “Por tani nuk po bëjnë fare biznes me ne, jo për shkak të tyre, por për shkakun tim. Sepse me tarifat e reja 145%, nuk mund të bësh biznes”, theksoi ai, duke iu referuar normës së re të taksave doganore që vendosi këtë muaj.