Zbulohen dy tentativa për kultivim kanabisi në Vaun e Dejës, policia sekuestron mbi 2700 bimë


Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë mbarëkombëtar, të koduar “Koordinata”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Vig të Vaut të Dejës janë evidentuar dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Falë përdorimit të dronëve dhe inteligjencës policore, janë zbuluar 2200 bimë të dyshuara si cannabis sativa të mbjella në tokë dhe 578 fidanë të tjerë të kultivuar në kubikë.

Një pjesë e bimëve dhe fidanëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie në vend. Policia po vijon punën për identifikimin e autorëve dhe ndjekjen e tyre penale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.