Zgjedhjet e 11 majit, regjistrohen 14 kallëzime në Prokuroritë me Juridiksion të Përgjithshëm


Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm janë regjistruar gjithsej 14 kallëzime penale, të cilat lidhen me veprat penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Burimet e njoftimit të kallëzimeve kanë treguar se 7 raste kanë ardhur nga policia gjyqësore, 3 nga Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), 2 nga subjektet politike, një rast është nisur kryesisht dhe një tjetër ka ardhur nga një shtetas.

Raportimet tregojnë se 5 kallëzime janë regjistruar në Prokurorinë e Fierit, 3 në Prokurorinë e Sarandës, dhe nga 2 në Prokurorinë e Tiranës dhe Gjirokastrës, ndërsa një rast është regjistruar në Prokurorinë e Durrësit dhe një tjetër në atë të Elbasanit.

Deri më 28 prill 2025, janë regjistruar gjithsej 7 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 328/a dhe 329 i Kodit Penal. Pesë nga këto procedime janë regjistruar në Prokurorinë e Fierit, ku dy janë për veprat e parashikuara nga neni 325 i Kodit Penal, një për nenin 328/a, një për nenin 328/a, paragrafi 4 dhe një për veprën e parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Dy procedime të tjera janë regjistruar në Prokurorinë e Gjirokastrës për veprat penale të parashikuara nga nenet 326/1 dhe 329/1 të Kodit Penal.

Po ashtu, një kallëzim nga Prokuroria e Durrësit dhe një procedim penal nga Prokuroria e Fierit janë dërguar për kompetencë në SPAK. Kallëzimet e tjera janë aktualisht në fazë verifikimi.