Amazon tërhiqet nga ideja për të shfaqur tarifat pas reagimit të ashpër nga Shtëpia e Bardhë


Amazon ka bërë të ditur të martën se nuk do të aplikojë një plan për të shfaqur tarifat doganore në platformën e saj të produkteve me çmim të ulët, “Amazon Haul”, pas një vale kritikash të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, e cila e quajti idenë një “akt armiqësor dhe politik”.

Zëdhënësi i Amazon tha për NBC News: “Ekipi që menaxhon dyqanin me kosto shumë të ulët Amazon Haul e shqyrtoi idenë e shfaqjes së tarifave të importit për disa produkte. Kjo nuk u miratua kurrë dhe nuk do të ndodhë.”

Ai shtoi se asnjë ndryshim nuk ishte planifikuar për platformën kryesore të Amazon dhe se “asgjë nuk është implementuar në asnjë nga platformat e kompanisë”.

Më herët, Punchbowl News raportoi se Amazon po planifikonte të tregonte qartë se sa po i shtonin tarifat e administratës Trump çmimit përfundimtar të produkteve.

Kjo shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila deklaroi nga salla e konferencave: “Sapo fola me presidentin lidhur me njoftimin e Amazon. Ky është një akt armiqësor dhe politik nga Amazon.” Ajo ishte në shoqërinë e Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent.

Përplasja vjen në një kohë kur konsumatorët amerikanë po përballen me rritje të ndjeshme çmimesh për shkak të tarifave të reja, veçanërisht në blerjet online. Kompani si Temu dhe Shein, që importojnë në masë nga Kina, kanë filluar të përfshijnë tarifa shtesë deri në 145% në çmimet përfundimtare.

Ky episod vjen gjithashtu në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Amazon dhe administratës Trump.

Themeluesi dhe pronari kryesor i kompanisë, Jeff Bezos, ka bërë përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie me presidentin – ai ishte i pranishëm në inaugurimin e Trump së bashku me Mark Zuckerberg dhe Elon Musk, dhe platforma video e Amazon ka licencuar një dokumentar për zonjën e parë Melania Trump.

I pyetur nëse kjo përplasje sinjalizon tension në marrëdhënien mes Trump dhe Bezos, Leavitt u përgjigj: “Nuk do të flas për marrëdhëniet e presidentit me Jeff Bezos, por mund t’ju them se kjo është padyshim një veprim armiqësor.”