Bardhi: Fermerët kërkojnë mbështetje, por kandidatët e Belindës hyjnë e dalin në SPAK


Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka akuzuar ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, për përfshirje në skemën e korrupsionit të inceneratorëve, duke pretenduar se janë abuzuar qindra milionë euro.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se qeveria e Edi Ramës kishte planifikuar që fshatrat Plyk dhe Mbyet të shndërroheshin në vendgrumbullime mbetjesh për inceneratorin, një projekt që, sipas tij, u ndal pjesërisht falë protestave të banorëve. Megjithatë, ai thekson se inceneratori nuk është vënë në punë asnjë ditë dhe se përgjegjësia bie edhe mbi ministren Balluku.

“Sot, fshati Plyk dhe Mbyet janë në emergjencë mbijetese. Me kandidatin tonë Gentian Koçi takuam njerëz të lënë në harresë, pa shpresë dhe të zhgënjyer”, shkruan Bardhi, duke theksuar se qytetarët kërkojnë punësim dhe mbështetje për bujqësinë, ndërkohë që ministria e Ballukut është nën hetim nga SPAK për abuzime financiare në masën e qindra milionë eurove.