Ish-kreu i PD-së, tashmë kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur i shqetësuar për lobimin e kryedemokratit Berisha në SHBA.
Gjatë një bashkëbisedimi me një komentues në Facebook, teksa ndodhej në timon, Basha tha se Berisha nuk do ngrinte krye në vitin 2005 e 2009 pa ndihmën e tij.
“Nëse e ke fjalën për kontributin në partinë demokratike, pa kontributin tim, Sali Berisha nuk kishte për të ngritur krye aty ku ishte në 2005 apo në 2009 kur solla 7 mandate nga Elbasani, apo në betejën e drejtëpërdrejtë me Edi Ramën, në 2011. Mos i harro këto, Gjovalin. E ta dish mirë, jo vetëm që nuk e kam tradhëtuar sakrificën tuaj, mundin tuaj, por pikërisht për të shpëtuar atë sakrificë kam marrë vendimet më të vështira edhe ndaj vetes time se lidershipi I vërtetë është kur sakrifikon veten dhe jo të tjerët. Të sakrifikosh PD-në dhe demokratët për hallin tënd e pastaj të pretendosh se je shpëtimtar ky është mashtrim.” – tha Basha.
Ai shtoi se PD-ja e demokratët nuk duhet të përfshiheshin në hallin personal të Sali Berishës me SHBA-në pas shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Unë kërkova që PD-ja e demokratët të vijonin të ishin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse vetëm kështu mund të garantohej një përballje e suksesshme me regjimin e Edi Ramës dhe një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sali Berisha ju tha se kjo s’është e vërtetë por sot paguan 6 milion dollarë për një vizë Gjovalin, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mospërfshirjes së PD-së në konfliktin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të lejimit të PD-së të vazhdonte përpara, përballjen me Edi Ramën, PD-ja do ishte në pushtet apo shumë afër pushtetit dhe hallet e tij nuk do të kishin nevojë për fatura të kripura, 6 milion dollarë për një vizë amerikane. Kjo, është e vërteta Gjovalin.” – shtoi Basha.