Baton, mos i fyej mjekët shqiptarë


Nga Edvin Prifti

Filozofi i madh Karl Popper dikur shkruante që:

“Injoranca e vërtetë nuk është mungesa e dijes, por refuzimi për ta fituar atë.”

M’u kujtua kjo shprehje teksa dëgjoja se si z. Baton Haxhiu deklaronte me qetësinë e absurditetit të modelit Popper që problemi i shëndetësisë shqiptare është paaftësia e mjekëve shqiptarë, në një emision në Syri.tv.

Me siguri, duke ditur që z. Haxhiu përfaqëson një rrymë të caktuar, besoj që nuk flet vetëm në emrin e tij, por edhe në atë çka ai përfaqëson?! Kur i thanë që kjo s’është e vërtetë, zotëria i “gjithëditur” në fjalë kërkoi emra, dhe rastësisht u përmend emri im. Pas disa grimasave transhumaniste, foli që nuk ka pse të merret me emra të përveçëm, kur vetë e kërkoi këtë. Gjithsesi, jam i sigurt që do fliste për SPAK e gjëra të tjera kur të përmendte emrin tim; histori e njohur e mendimit të dobët!

E kam njohur z. Baton Haxhiu kur më ftoi për drekë në një restorant në Tiranë në vitin 2009, për të ndihmuar një mikun e tij maqedonas, mjek kardiolog, dr. Petrovsky, i cili kishte hapur një spital privat në Tiranë, për të cilin nuk ishte e mundur që unë ta ndihmoja. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit, por mjafton kaq që një njeri të mos bëjë grimasa kur përmendet emri i tjetrit, për të mos treguar mungesë të thellë karakteri?!

E dyta: mjekët shqiptarë, z. Haxhiu, me të mirat dhe defektet e tyre — sigurisht ka ndër ta edhe ndonjë që çfarë nuk kanë vjellë edhe ndaj meje — por të gjithë ata, pavarësisht gjithçkaje, kanë trajtuar me dhjetëra mijëra pacientë kosovarë. Dhe unë personalisht ua njoh meritat të gjithëve, edhe kur i dua, edhe kur nuk i dua. Ashtu siç mendoj që njeriu i ditur fal, por nuk harron. Gjithsesi, ju harruat mirënjohjen?!

E treta: janë këta mjekë shqiptarë të Tiranës që kanë trajnuar me qindra mjekë kosovarë në këto dekada. Ju, përsëri, harruat mirënjohjen!

Par définition: mosmirënjohja është defekti më i madh i karakterit të kujtdo!

E katërta: ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë licencat e ushtrimit të profesionit jo vetëm në Komunitetin Europian dhe Amerikën e Veriut — dhe këtu nuk flas vetëm për veten — ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë një indeks të tillë të shkencës siç është Hirsch Index, që do ta kishin zili në Evropë — dhe këtu sërish nuk fus vetëm veten time.

Ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë prodhuar teknika dhe ide të reja të aprovuara në Evropë dhe SHBA — dhe këtu, prapë, nuk flas vetëm për veten time. Ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që janë nderuar me çmime shkencore dhe botërore që ju as mund ta imagjinoni dot, ashtu siç nuk e imagjinon ndonjë “mjekuç” që ju shkruan?!

Unë nuk ia lejoj vetes të flas për gjëra që s’jam kompetent, por tek ju ky parim është harruar. Në gjithëditurinë tuaj, ju kujtoj të jeni pak iluminar, që të mos debatoni për shkencën, dijen, akademizmin dhe mjekësinë, pasi i dëmtoni shumë padronët tuaj dhe nuk do t’jua falin këtë dëm. Merreni si një këshillë pozitive.

Sigurisht që pas kësaj e keni opsionin të më fyeni dhe të më kujtoni SPAK-un apo çka tjetër, por unë s’mund të qëndroja në heshtje kur fyeni pa të keq mjekët shqiptarë — edhe pse ata mbartin atë bukuri apo shëmtim që mbart ky popull, nga i cili edhe ju vini!

Gjithçka mund të toleroja nga injoranca kur ulëret për mjekësinë, por jo nga ju! Mbase për ju dhe për rastin konkret vlen shprehja e Goethes:

“Njeriu sheh në botë atë çka mbart në zemrën e vet.”