Berisha nga Samiti i PPE në Spanjë: Me ndihmën tuaj do përmbysim diktaturën e parë narkotike në Europë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në Samitin e Partive Popullore Evropiane që po zhvillohet në Valencia të Spanjës, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për shndërrimin e Shqipërisë në “narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë”.

Berisha tha se Rama ka në dorë të gjitha pushtetet dhe, sipas tij, ka ndërtuar një sistem të kontrolluar nga një “makineri mafioze të blerjes së votës dhe intimidimit”, duke kthyer zgjedhjet në një fasadë.

 Ai shtoi se, përmes këtij sistemi, është vënë nën kontroll i plotë vullneti i qytetarëve.

“Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë”, deklaroi Berisha, duke akuzuar më tej se Rama kontrollon ekonominë, median dhe se ka shkuar deri aty sa të bllokojë platformën TikTok në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Berisha tha se “si Zayed i Tunizisë”, Rama ka arrestuar tre liderë të partive kryesore të opozitës, pa asnjë provë penale, vetëm pse janë kundërshtarë politikë.

 Ai përmendi rastin e Fredi Belerit, duke e cilësuar arrestimin e tij si politik dhe të motivuar nga refuzimi për t’i dhënë tokë familjes së Ramës.

Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për lidhje me organizata kriminale ndërkombëtare, duke përmendur kartelin meksikan të drogës “Sinaloa” dhe përfshirjen e këshilltarëve të kryeministrit në koordinimin e punëve me grupe kriminale.

“Ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha 225 mijë dollarë, por nuk ishte i vetmi që u ble kundër nesh,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se nga viti 2014 deri në 2023, mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në zonën Shengen, ndërsa Shqipëria, sipas OKB-së, ka sot një nga indeksët më të ulët të lindshmërisë në botë dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të krimit në Europë.

Berisha përmendi gjithashtu edhe ndërhyrjen e qeverisë në procesin zgjedhor të 11 majit, duke e akuzuar Ramën se po përdor skema për blerjen e votës përmes shpërndarjes së 100 eurove për pensionistët dhe dhënies së 100 licencave për kultivim kanabisi “me moton ‘Kanabis për Vota’”.

Në fund të fjalës së tij, Berisha u shpreh i bindur se Partia Demokratike do të përmbysë regjimin aktual me ndihmën e partive simotra:

“Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës.”

Ai falënderoi drejtuesit e PPE-së, si dhe përfaqësues të partive nga Gjermania dhe Italia për mbështetjen ndaj PD-së dhe kauzës së saj.