Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.
Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se si kompromis kanë ofruar që partia e tij, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të pajtohen që të votohen në paketën kryeparlamentare dhe tri nënkryetarët.
“Ajo që kemi ofruar si kompromis është një dakordim politik, një konsensus politik që të tri partitë më të mëdha, që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvend, të mblidhen, të dakordohen [të votohen] në paketë emri i kandidates për kryeparlamentare Albulena Haxhiu si dhe emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim që t’i votojmë”, tha ai.
Murati hodhi poshtë akuzat e partive se LVV-ja po kërkon që Haxhiu “të votohet me zor”, duke shtuar se disa deputetë të partive, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë, kanë shprehur “dëshirë që të dalin nga kjo situatë”, por shtoi se partitë e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim, andaj ata nuk po mund të votojnë për Haxhiun.
LVV-ja, përsëriti ai, nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për votime të reja, nëse ky mbetet opsioni i vetëm për daljen nga situata e krijuar.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja ka “mentalitet të imponimit”, pasi që kjo parti ka të drejtë të propozojë kryeparlamentarin, por jo të imponojë se si votojnë të zgjedhurit e popullit.
Ai akuzoi LVV-në se “me qëllim po mban të bllokuar” procesin e krijimit të institucioneve të reja, teksa shtoi se kishte tri mesazhe për partinë fituese të zgjedhjeve.
“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendin”, tha Krasniqi./REL