Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu për lirimin nga qelia.
Ish-magjistratja, e akuzuar për lidhje me bandën e Suel Çelës, kishte kërkuar lirinë me argument shkaqet shëndetësore.
Por, togat e zeza e kanë rrëzur duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj saj.
Sipas SPAK, banda e Suel Çelës kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (Dedan Gjoni) dhe të sistemit gjyqësor (Pajtime Fetahu) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çelës dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre.
Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.