Nga Lutfi Dervishi
Zgjedhjet e 11 Majit nuk janë vetëm prova e zjarrit për 11 partitë/koalicionet, por janë edhe funeral për atë që dikur quhej “pushteti i katërt” – televizioni.
Dhjetë ditë para heshtjes zgjedhore dhe njëmbëdhjetë ditë para ditës së votimit, Kryeministri Rama nuk është shfaqur në asnjë studio televizive. Zero. Debat jo e jo, por as intervistë. Nuk ka pse. Nuk ka nevojë.
Nuk është thjesht Rama që ka zgjedhur ta braktisë median tradicionale, është vetë televizioni që ka hequr dorë nga misioni i tij.
Fushata nuk raportohet më nga gazetarët, por nga stafet. Rama komunikon me publikun direkt dy herë në javë në Facebook dhe Instagram, përmes rubrikës “Sy më sy”. Fundjavave, me “Flasim” podcastin e tij personal. Dhe televizionet? Ritransmetojne. Bën copy-paste. Bëjne sikur bëjnë lajme dhe sot ngrënë duart lart si një notar pa ujë.
A janë këto zgjedhjet e para ku televizioni është në koma?
E kemi parë gjatë këtyre javëve: fushatë, pa gazetarë në terren, pa studio me protagonistë e debate reale.
Televizionet po kthehen në limonë të shtrydhur gati për t’u flakur në kosh.
Por, e vërteta është edhe më e hidhur: televizionet nuk janë viktima, janë bashkëpunëtorë. Humbën besueshmërinë duke u kthyer në megafon të politikës, duke i shërbyer pushtetit në vend që ta sfidonin atë. Tv shpërdoroi besimin kur të gjithë nga mëngjesi në mëngjes “zbuluan” bisedat në studio…, ku i papuni pyetet si kryeministër dhe firauni si të jetë profet.
Ç’është sot një emision politik? Marrim dy “andej”, dy “ketej”, u japim nga një gotë ujë dhe presim cirkun pa akrobate. Fjalë të mëdha, akuza bajete, të revoltuar me telekomandë, por asnjë ide, asnjë përplasje mendimi të vërtetë, asnjë debat ku fiton logjika, asnjë analize, asnjë koment për të qenë. Llomotitje.
Në një mjedis të tillë, llokoçitje liderët politikë, logjikisht, nuk kanë më nevojë për televizionet. I bëjnë vetë të gjitha: edhe fushatat, i montojnë vetë videot, i shpërndajnë vetë në rrjetet sociale, ndërsa televizioni bëhet thjesht pasqyrë që reflekton imazhin që pushteti ka zgjedhur të prodhojë.
Lideri raporton për veten. Gazetarët raportojnë për liderin.
Është një fakt brutal: sot partitë dhe kandidatët shpenzojne më shumë para për reklama dhe prezencë në rrjetet sociale sesa në TV. Jo aq për faktin se rrjetet janë më të lira, por sepse televizioni ka humbur besimin dhe për rrjedhojë edhe pushtetin që kishte!
Në shumicën e edicioneve të lajmeve, sot sheh “lajme” që i ngjajnë ngjajnë deleve që i qeth një bari: “Lajme” me të njëjtin këndvështrim, me të njëjtin sinkron, me të njëjtin titull…
A ka më shpresë?
Nëse ndonjë televizion ende ka ndërmend të mbijetojë, ka vetëm një rrugë: të refuzojë servilizmin dhe të rifitojë të drejtën për të pyetur, për të vënë në siklet, për të kërkuar llogari. Të heqë dorë nga modeli i talk-show-t fast-food dhe të kthehet te gazetaria e vërtetë.
Ose shoshit premtimet dhe hulumton, ose përfundon si një relike muzeale, një “dekor” që vjen nga koha kur fjala kishte peshë dhe media pushtet.
Në të kundërtën duhet të pranojmë: pushteti i katërt është në vdekje klinike. Dhe vdekja nuk po vjen nga një atentat brutal. Është më shumë tentativë vetëvrasje. E ngadaltë. E turpshme. Pa asnjë tentativë për shpëtim.