Një kardinal kryesor konservator i kërkoi kishës katolike romake që t’i rezistonte “lobit të homoseksualëve” ndërsa nis zhurma përpara votimit për zgjedhjen e Papës së ardhshëm.
Konklava, në të cilën kardinalët do votojnë për udhëheqësin e tyre të ardhshëm, do nisë më 7 maj.
Gerhard Ludëig Müller, një kardinal gjerman, i cili ishte një nga kritikët më të fortë të papës së ndjerë gjatë papatit të tij, tha se Papa i ardhshëm duhet të jetë “i fortë në doktrinë” dhe “i vendosur të qëndrojë përballë lobeve ideologjike, përfshirë lobin e homoseksualëve”.
Kardinali Müller i tha gazetës La Stampa se Papa i ardhshëm duhet të ketë gjithashtu “një formim solid teologjik dhe doktrinor”. Ai bëri thirrje për një kthim në “ortodoksinë, doktrinën e bazuar në Shkrimin e Shenjtë dhe traditën apostolike dhe kundër herezisë”..
Kardinali gjerman tha: “Doktrina nuk është pronë e papës, e peshkopëve apo e besimtarëve…ajo duhet të përputhet me fjalën e Jezusit, askush nuk mund ta modifikojë atë. Nëse Jezusi thotë se martesa është midis një burri dhe një gruaje, askush nuk mund ta ndryshojë këtë doktrinë. Lobi homoseksual dëshiron të barazojë martesën me bashkimet midis njerëzve të të njëjtit seks, por kjo bie plotësisht në kundërshtim me doktrinën e Biblës.”
Kardinali Müller dënoi atë që ai e quajti “ideologji gjinore” si “kundër doktrinës së Kishës”.
Data e konklavës u vendos në një takim të kardinalëve me dyer të mbyllura të hënën, dy ditë pas funeralit të Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit.
Një grup prej 133 kardinalësh, duke përfshirë Kardinalin Müller – të ashtuquajturit “Princat e Kishës” – do mblidhen më 7 maj brenda Kapelës Sistine për të zgjedhur një pasardhës të Papa Françeskut, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 88-vjeçare.
Në total, ka 252 kardinalë në kishën katolike, por vetëm 135 – ata të moshës nën 80 vjeç – kanë të drejtë të votojnë. Dy janë larguar për arsye mjekësore, duke ulur numrin e kardinalëve zgjedhës në 133.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani