Qeveria heq dorë nga shkarkimi i kreut të Shërbimit Sekret izraelit pasi ai njofton dorëheqjen


Qeveria izraelite njoftoi të martën se ka anuluar vendimin për shkarkimin e kreut të Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (Shin Bet), Ronen Bar, pas deklaratës së këtij të fundit se do të largohet vetë nga detyra në qershorin e ardhshëm, sipas YnetNews.

Kjo lëvizje shihet gjerësisht si një përpjekje për të shmangur një vendim të Gjykatës së Lartë lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit të kryeministrit Benjamin Netanyahu në këtë çështje.

Shkarkimi i Bar nga kryeministri dhe kabineti i tij nxiti akuza se pas vendimit qëndronin motive politike, veçanërisht pasi Shin Bet kishte nisur një hetim mbi përfshirjen e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Netanyahut me qeverinë e Katarit.

Ata dyshohet se kanë ndërmarrë veprime në shërbim të Katarit, të cilat mund të kenë rrezikuar pengjet izraelite në Gaza dhe sigurinë kombëtare të vendit.

Meqë Bar ka njoftuar dorëheqjen e tij, qeveria deklaroi se nuk ka më nevojë të ndjekë procedurën e shkarkimit të tij.