Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave se duhet të largohet për shkak të zyrtarëve të arrestuar, duke thënë se drejtësia sot funksionon ndryshe nga e kaluara dhe se populli nuk bie pre e propagandës politike.
Ai u shpreh se proceset gjyqësore nuk do të ndikojnë te Partia Socialiste, pasi qytetarët dinë të gjykojnë me mendje të kthjellët dhe kanë memorie për të kaluarën.
“Ku i ke parë këto dorëheqjet me asociacion. Unë e di që tanimë kjo historia e proceseve gjyqësore është shpresa e vetme jo vetëm e kënetës së madhe por edhe e moçaleve të vogla, se atë që nuk realizojnë në fushën e ballafaqimit elektoral me popullin, mendojnë se mund ta realizojnë duke nxitur SPAK dhe duke shpresuar se do të shkrijë PS.
Nga ana tjetër, duke bërë presionin qesharak që ja si mund të votohen këta, ky, këta kanë gjysmën e qeverisë e partisë në burg.
Ndërkohë që pikërisht pse populli është një shkallë më lart, më i zgjuari dhe më i bukuri nga të gjithë ju nuk e ha këtë propagandë sepse populli ka një kujtesë dhe për një arsyetim.
Pse nuk ndodhën përpara këto procese? Pse nuk ndodhi që të shikonim dikë në pushtet që të hetohej, ndalohej, gjykohej e dënohej.
Pse ndodh sot? Për shkakun tënd apo të kënetës tënde, ku pllaquritesh ti bashkë me të tjerë verbërisht pa lidhje se nuk je përfitues i pushtetit të kënetës dhe milionave që papritur dalin nga barku i kënetës dhe shkojnë për të futur bufin në lavanderi që t’i pastrohet damka e turpit nga balli. Nga i nxorrën 6 mln? “