Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Amazon për një “akt armiqësor dhe politik”, pasi një raport sugjeron se kompania e njohur e tregtisë online planifikon të informojë klientët mbi koston që do të kenë tarifat e vendosura nga Donald Trump në produktet që blejnë.
Sekretarja për shtyp, Karoline Leavitt, reagoi ndaj raportimit të Punchbowl News, e cila citoi një burim të njohur me çështjen, duke thënë se Amazon do të nisë të shfaqë ndarazi në faqen e saj se sa kanë ndikuar tarifat mbi çmimet e produkteve të veçanta – të ndara nga çmimi i përgjithshëm i listuar.
“Pse Amazon nuk e bëri këtë kur administrata Biden e rriti inflacionin në nivelin më të lartë në 40 vjet?” – pyeti Leavitt gjatë një konference për shtyp, përcjell The Guardian.
Çmimet në tregun online të Amazon janë rritur dukshëm që prej shpalljes së tarifave të gjera nga Trump në fillim të prillit, veçanërisht ndaj Kinës, nga ku vijnë shumë produkte të listuara në Amazon.com.
Si përgjigje, kompania ka ushtruar presion ndaj shitësve të saj të palëve të treta që të përballojnë vetë kostot shtesë të importit, në mënyrë që të mos i kalojnë ato te konsumatorët. Amazon nuk ka komentuar menjëherë mbi këtë çështje.
“Kjo është edhe një arsye tjetër pse amerikanët duhet të blejnë produkte amerikane,” shtoi Leavitt, megjithëse Amazon është vetë me seli në Seattle.
Blerjet online janë përmbysur nga politikat tregtare të Trump. Vetëm një ditë më parë, dy shitës të tjerë me zbritje, Temu dhe Shein – që dërgojnë produkte nga Kina – nisën të shfaqin “145% taksë importi” në totalin e blerjeve të klientëve për të reflektuar tarifat e reja ndaj mallrave kineze.
E pyetur nëse kjo deklaratë e ashpër sinjalizon një përçarje mes Trump dhe themeluesit miliarder të Amazon-it, i cili hoqi dorë nga posti i CEO-s në vitin 2021 dhe këtë vit dhuroi 1 milion dollarë për fondin e inaugurimit të Trump, Leavitt tha: “Nuk do të komentoj për marrëdhëniet e presidentit me Jeff Bezos.”