Si arriti liberali Carney të kapërcente zhgënjimin e kanadezëve me Trudeau


Carney, duke folur në Otavë, thotë se marrëdhënia e vjetër e Kanadasë me SHBA-në ka përfunduar dhe ka “shumë mundësi të tjera përveç Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar mirëqenie

Partia Liberale e Kanadasë parashikohet të fitojë zgjedhjet e katërta radhazi, duke i dhënë një mandat ish-bankierit Mark Carney pas një fushate në të cilën ai u zotua të nxisë rritjen ekonomike dhe t’i rezistojë presidentit amerikan Donald Trump në një luftë tregtare.

Diferenca e fitores duket të jetë e ngushtë. Kandidatët liberalë kryesonin ose fitonin 167 vende, përpara 145 vendeve të Partisë Konservatore, që nga ora 3 e mëngjesit të së martës.

Partia e Carney kishte rreth 43% të votave kombëtare, por mund të mos ketë 172 vendet e nevojshme për një shumicë në Dhomën e Komunëve, që do të thotë se qeveria do të detyrohet të punojë me partitë e tjera për të miratuar buxhetet dhe legjislacionin. Sipas skenarëve më të rreptë, “Bloc Quebecois”, që kandidon vetëm në Kebekun frëngjishtfolës, mund të mbajë ekuilibrin e fuqisë për Liberalët.

Duke iu drejtuar mbështetësve në Otava në orët e hershme, Carney ishte plot gjallëri, pas suksesit të lëvizjes së tij të jashtëzakonshme nga sektori privat drejt e në kulmin e politikës kanadeze në rreth tre muaj e gjysmë.

Por fjalimi i tij pasqyroi gjithashtu realitetin e ndërlikuar që politikanit fillestar mund t’i duhet për të arritur marrëveshje dhe kompromis me rivalët për të përmbushur programin ambicioz që u është premtuar kanadezëve.

“Ndërsa shumë kanë zgjedhur të besojnë tek unë, besimi te Partia Liberale, miliona bashkëqytetarë tanë parapëlqyen një rezultat tjetër”, tha ai, duke folur për “punën konstruktive me të gjitha partitë në të gjithë parlamentin”. Ai u sigurua të vinte në dukje rëndësinë e gjuhës frënge të Kebekut, vështirësinë me të cilën përballet në lidhjen me pririet konservatore dhe të përgëzonte “vlerat progresive” të Partisë Demokratike të së majtës.

Përmbi të gjitha zgjedhjet ishte Trump, u tha Carney mbështetësve, duke u zotuar se do përqendrohej në forcimin e pavarësisë ekonomike të Kanadasë, duke përfshirë bërjen e vendit në një “superfuqi energjetike”.

“Ne kemi kaluar tronditjen e tradhtisë amerikane,” tha Carney.

“Por ne nuk duhet të harrojmë kurrë mësimet që morëm.”

Udhëheqësit evropianë nxituan të urojnë Carney-n, duke parashikuar lidhje më të ngushta me Kanadanë, ndërsa ajo kërkon partnerë të tjerë përveç fqinjit të saj jugor. Kryeministri britanik Keir Starmer tha se do kërkojë të “thellojë marrëdhëniet tona ekonomike”, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se lidhja midis Evropës dhe Kanadasë ishte e fortë dhe “duke u forcuar”.

Konservatorët

Konservatorët, të udhëhequr nga Pierre Poilievre, rritën pjesën e tyre të votave dhe depërtuan në periferi rreth Torontos dhe pjesëve të tjera të Ontarios. Provinca është shtëpia e industrive të mëdha si prodhimi i automjeteve dhe çeliku që janë në pikën kryesore të tarifave të Trump. Liberalët ishin në rrugën e duhur për të fituar tetë vende në Quebec dhe vazhduan mbizotërimin e tyre në katër provincat në rajonin e Atlantikut.

Ndërkohë, partitë më të vogla u shtrënguan në margjina – veçanërisht Partia Demokratike e krahut të majtë, e cila dukej se do inte në rreth 7 mandate nga 24 ndërsa numërimi vijoi deri në orët e para.

Dollari kanadez fillimisht u rrit pasi rrjetet kryesore televizive njoftuan për fitoren e liberalëve, por më pas u përmbys pasi u bë më e qartë se votimi ishte i ngushtë dhe ekzistonte potenciali për një qeveri të paqëndrueshme.

Ndërsa diferenca e tij e fitores është e ngushtë, fitorja e Carney përfaqëson ende një kthesë të madhe për Liberalët, një parti që ka qeverisur Kanadanë për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, por që dukej në rrugën e duhur për një bllokim elektoral vetëm katër muaj më parë. Ish-guvernatori i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë u bë kreu liberal më 9 mars dhe thirri zgjedhjet vetëm dy javë më vonë.

Mark Carney, kryeministri i Kanadasë dhe udhëheqësi i Partisë Liberale, flet gjatë një mitingu të fushatës në Mississauga, Ontario më 26 prill

Carney, 60 vjeç, u përpoq të vërtetonte shpejt se ai ishte i ndryshëm nga paraardhësi i tij, Justin Trudeau – më i përqendruar te ekonomia dhe në ndërtimin e aleancave të reja tregtare dhe të sigurisë, duke pasur parasysh politikën e re të jashtme që vinte nga Uashingtoni. Hapat e tij të parë ishin të anulonte disa nga politikat më pak të njohura të Trudeau, siç është taksa e karbonit për konsumatorët, dhe të vizitonte dy aleatë evropianë, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

Sapo filloi fushata zgjedhore, ai tha vijimësisht se kanadezët duhet të kuptonin se marrëdhëniet e ngushta të vendit me SHBA-në janë prishur nga veprimet e Trump, duke përfshirë pretendimet e presidentit se Kanadaja duhet të jetë shteti i 51-të. Në javën e fundit të marsit, kur Trump nënshkroi një urdhër për zbatimin e tarifave të automjeteve, Carney tha: “Është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm”.

Mënyra e tij e qetë dhe modeste në publik dhe përvoja e tij si politikëbërës dhe ekonomist ndihmuan t’i siguronte votuesit se ai ishte personi më i mirë për të marrë përsipër sfidën e udhëheqjes së Kanadasë në një rend të ri botëror dhe ai rifitoi shumë njerëz që ishin zhgënjyer me Trudeau. Një sondazh afër fundit të fushatës tregoi se Carney kishte rreth 10 pikë avantazh ndaj Poilievre në pyetjen se kush do të ishte kryeministri më i mirë.

Por tani Carney duhet të përmbushë pretendimet e tij për të qenë një menaxher i përsosur i krizës, pasi drejtoi dy banka qendrore të G7-ës gjatë rrëzimit financiar të vitit 2008 dhe Brexit.

Testi përfundimtar do jetë përballja me presidentin e paparashikueshëm të SHBA-së, i cili ka thënë se do të përdorte “forcën ekonomike” kundër Kanadasë dhe ka bërë kërcënime specifike kundër sektorit të saj të automobilave dhe industrive të tjera. Carney ka thënë se dëshiron të nisë “negociatat gjithëpërfshirëse për një marrëdhënie të re ekonomike dhe të sigurisë” me administratën Trump.

Kjo me siguri do përfshijë një rishikim të Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada, marrëveshja tregtare rajonale që Trump nënshkroi në mandatin e tij të parë dhe e quajti “marrëveshja më e mirë që kemi bërë ndonjëherë”. Për Kanadanë, aksionet ekonomike nuk mund të jenë më të larta: Rreth tre të katërtat e eksporteve të saj shkojnë në SHBA, duke përfshirë shumicën dërrmuese të eksporteve të saj të naftës dhe gazit.

Fokusi ekonomik

Kjo e bën Kanadanë një nga vendet më të ekspozuara ndaj një lufte të zgjatur tregtare dhe për shumë nga prodhimet e saj më të rëndësishme, ajo nuk mund të gjejë lehtësisht ose shpejt tregje alternative.

Carney trashëgon një ekonomi që mund të jetë afër recesionit dhe nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë një krizë produktiviteti afatgjatë. Kanadaja tashmë është subjekt i tarifave ndëshkuese nga SHBA.

“Fokusi do etë më shumë në shëndetin e ekonomisë, diversifikimin e partneriteteve tregtare, forcimin e ekonomisë së Kanadasë,” tha Lori Turnbull, një profesore në fakultetin e menaxhimit në Universitetin Dalhousie në Halifax, Nova Scotia.

“Kjo do jetë e rëndësishme për sa i përket një largimi nga prioritetet e qeverisë Trudeau.”

Pierre Poilievre, kreu i Partisë Konservatore të Kanadasë, përshëndet mbështetësit pas një tubimi të fushatës në Pickering, Ontario

Kryeministri propozoi projekte të mëdha të “ndërtimit të kombit” si infrastruktura e re energjetike, por si ambientalist, ai gjithashtu dëshiron të mbajë në vend mbrojtjen e ekonomisë së gjelbër, siç është taksa e karbonit industrial. Carney ka sugjeruar se dëshiron të dyfishojë ndërtimin e banesave, pjesërisht përmes një programi të mbështetur nga qeveria për të financuar shtëpitë e parafabrikuara. Por qeveria sapo ka ulur objektivat e emigracionit, duke zvogëluar mundësitë për punëtorët e kualifikuar nga jashtë.

Për më tepër, udhëheqësi i provincës konservatore të pasur me naftë, Alberta, ka lëshuar tashmë një listë kërkesash dhe ka kërcënuar “një krizë të paparë të unitetit kombëtar” nëse ato nuk përmbushen.

Udhëheqësi liberal paraqiti një plan gjatë fushatës për të krijuar deficite më të thella, pjesërisht për të rritur shpenzimet për infrastrukturën dhe për të shkurtuar taksat mbi të ardhurat.

Carney ishte kryetar i Bloomberg Inc deri në janar, kur dha dorëheqjen nga ai post për të hyrë në politikë.

Është një çast i vështirë për Poilievre, zeniti politik i të cilit arriti kulmin shumë herët. Politikani 45-vjeçar mbizotërooi sondazhet e opinionit me diferencë dyshifrore vitin e kaluar me premtime për të ulur taksat dhe shpenzimet qeveritare, duke ndërtuar më shumë shtëpi dhe për të përmirësuar sigurinë publike.

Thirrjet e gjata të Poilievre për t’i dhënë fund taksës së karbonit dhe për të hequr Trudeau ishin pjesërisht të suksesshme. Trudeau dha dorëheqjen dhe Carney i dha fund pjesës së diskutueshme të taksës konsumatore brenda disa orësh nga marrja e detyrës. Por kjo i detyroi konservatorët të vendosnin shpejt një mesazh të ri dhe ata ishin të ngadaltë për t’u përshtatur me mjedisin e ri ku veprimet e Trump ishin një shqetësim kryesor midis votuesve.

Ai gjithashtu luftoi për të rekrutuar kandidatë të profilit të lartë dhe për të krijuar llojin e aleancave të nevojshme për një koalicion fitues. Për shembull, fushata e tij u kritikua vazhdimisht nga aleatët e Doug Ford, i cili ka fituar tre qeveri të shumicës në Ontario për partinë e tij provinciale, Konservatorët Progresivë.

Megjithatë, është rezultati më i mirë zgjedhor i partisë që nga viti 2011, duke treguar se konservatorët ishin në gjendje të tërhiqnin vëmendjen e votuesve me një platformë që theksonte shkurtimet e taksave, shkurtimin e rregulloreve dhe nxitjen e investimeve në naftë dhe gaz dhe sektorë të tjerë. Këto masa do prodhonin rritje më të shpejtë ekonomike dhe do përmirësonin pozicionin e Kanadasë në trajtimin e kërcënimeve të Trump, tha Poilievre.

Por, fushata konservatore pati jehonë të metodave të Trump, të tilla si premtimet e tij për të shkurtuar ndihmën e huaj, marrëdhëniet luftarake të Poilievre me mediat tradicionale, synimi i saj ndaj nismave të diversitetit dhe madje edhe slogani i partisë “Kanadaja e para – Për një ndryshim”. Liberalët përdorën klipe të Poilievre që tingëllonin si Trump, duke kundërshtuar kulturën “ëoke” dhe duke thënë, “gjithçka është e prishur”. Në një kohë kur Trump shahet nga shumë kanadezë për kërcënimet e tij kundër sovranitetit të vendit, kjo ishte e dëmshme për shanset e Poilievre.

“Votuesit kërkojnë dikë të cilit i besojnë për t’i bërë ëndrrat e tyre realitet dhe unë besoj se Poilievre e mishëroi këtë, por ata gjithashtu kërkojnë dikë që u pëlqen,” tha Dimitri Soudas, i cili ishte drejtor i komunikimit i ish-kryeministrit Stephen Harper.

“Unë mendoj se atij mund t’i besohet. Besoj se ai respektohet për vizionin e tij për vendin. Ai zgjodhi të mos ishte i pëlqyeshëm. Dhe për mendimin tim, ky ishte një gabim.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani