Kryeministri i Kanadasë ka përfunduar fjalimin e tij të pranimit, duke theksuar se vendi do ta fitojë luftën tregtare me SHBA-në dhe se do të luftojë me të gjitha forcat për të siguruar më të mirën për Kanadanë.
Ai vlerësoi qytetarët kanadezë që, sipas tij, kanë dalë në mbrojtje të vlerave kombëtare gjatë muajve të fundit, dhe premtoi ndërtimin e një të ardhmeje të pavarur për vendin.
“Së bashku do të ndërtojmë një Kanada të denjë për vlerat tona. Kanada e fortë, Kanada e lirë, Kanada përgjithmonë, rroftë Kanadaja!”, deklaroi ai mes duartrokitjeve.
Ndërkohë që kryeministri fliste përballë mbështetësve në zonën e tij zgjedhore në Nepean, Ontario, Elections Canada konfirmoi fitoren e tij në atë zonë.
Carney, i cili për herë të parë ka kandiduar dhe fituar një post të zgjedhur, paralajmëroi për sfidat e vështira që e presin vendin, duke shtuar se ndryshimet e mëdha gjithmonë sjellin pasiguri.
“Kanadaja është më shumë se një komb ne jemi dhe do të jemi gjithmonë një federatë,” u shpreh ai. “Nuk jemi gjithmonë të përsosur, por përpiqemi të jemi të mirë.”
Ai theksoi se forca e vendit qëndron në unitet dhe bashkëpunim, duke shtuar: “Ne përpiqemi t’i bëjmë gjërat sepse janë të drejta, jo sepse janë të lehta.”
Sipas rezultateve paraprake, Carney fitoi me 64% të votave, ndërsa kandidatja konservatore Barbara Bal mori 33% dhe kandidati i NDP-së, Shyam Shukla, vetëm 2%.
Shifrat tregojnë një ndryshim prej 18 pikësh përqindjeje në favor të liberalëve, të cilët duket se kanë fituar një pjesë të madhe të votave të mëparshme të NDP-së./BBC