Ndeshja e fundit e javës së 24-t në Superiore, mes Flamurtarit dhe Kastriotit, u mbyll në barazim 1-1.
Ishte ekipi i Ilir Dajës, që pas një gjysmë ore të ekuilibruar, gjeti golin e parë me Sukajn, pas asistimit nga Kotobelli.
Sukaj u mundua sërish në fundin e pjesës së parë për të mbyllur ndeshjen, por pa tundur sërish rrjetën.
Më pas, me fillimin e pjesës së dytë, Kastrioti u duk shumë kërkues, dhe pas disa aksioneve radhazi, golin e gjeti Marku në minutën e 54-t me kokë.
Flamurtari u mundua të reagonte sërish, por Çekrezi në disa raste u tregua vendimtar.
Me këtë barazim, Flamurtari shkon në kuotën e 34 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Kastrioti i parafundit, me 21 pikë.
Ndërkaq, pas përfundimit të kësaj jave, Partizani vazhdon kryesimin, i ndjekur nga Kukësi e Teuta, ndërsa mbyllin renditjen Kastrioti dhe Kamza.