Kukësi mundi 2-1 Skënderbeun në ndeshjen e zhvilluar në Kamëz, por korçarëve mund t’i mjaftojë një sukses minimal 1-0 për të kaluar në sfidën e fundit të turneut. Reginaldo prishi ekuilibrat pas një kontrolli të saktë në hyrje të zonës, e kjo ishte rrjeta e vetme në fraksionin e parë.
Në rinisjen e lojës, Skënderbeu aplikoi një skemë jashtë loje që rezultoi një dështim dhe i mundësoi Vasil Shkurtajt të shënojë sërish për Kukësin. Llogaritë për kalimin në finale, gjithsesi u hapën me golin me portën bosh të Dejvi Bregut, pas një gafe të portierit Frashëri.
Ndeshja e kthimit në Korçë do të vendosë finalistin.
Aty ku nuk u prishën fare balancat ishte ndeshja e Gjirokastrës, mes Luftëtarit dhe Tiranës. Vendasit nuk e shfrytëzuan dot faktorin fushë për të marrë epërsinë ndaj kryeqytetasve, në një 90-minutësh të mbyllur me rrjeta të paprekura.
As zëvendësimet e trajnerëve dhe as egoja e lojtarëve në fushë nuk solli qoftë edhe një gol. Në të njëjtin stadium, të dielën, Luftëtari do të presë sërish Tiranën, këtë herë për Kategorinë Superiore.