“Ne s’mund të japim mendim, është çështje e autoriteteve shqiptare. Teatri është çështje delikate. Çështje e rëndësishme”, kështu thotë ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Sipas Sorecës çështja e grabitjes së pronës publike është politizuar.
“Është një çështje shumë e rëndësishme dhe është pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare që përfshin shumë ndjenja dhe interesa. Çështja është delikate por edhe e politizuar. Sigurisht që nuk duhet të jemi ne ata që duhet të shprehemi nëse duhet të ketë ndërtesë të re apo të ruhet e vjetra. Këtë përgjigje e japin autoritetet shqiptare.”
Pyetje-përgjigjet e gazetarëve dhe Sorecës:
A duhet të presim Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim për shembjen?
Mendoj se kjo është subjekt i debatit dhe ajo që është e rëndësishme për ne është respekti i sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës pra procedurat e tenderimit duhet të jenë në përputhje me ato të BE-së. Me sa di unë tenderi është i hapur deri në shtator dhe procedura e tenderit do të jetë e hapur deri në datën 19 shtator.
A u shkelën nenet e kushtetutës në ndërhyrjen e policisë?
Sapo takova zotin Budina dhe jam shumë i lumtur që ai është i pranishëm.
Mendoj se kjo është një çështje shumë e vështirë, e cila duhet të trajtohet me kujdes nga të gjitha palët dhe në veçanti nga institucionet ligjzbatuese duke zbatuar rregullin bazë të lirisë së shprehjes.
Sa i përket BE-së ajo që është më e rëndësishme janë respektimi i procedurave të tenderimit./Hashtag.al