Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar të martën se ka ndarë shumën e 20 milionë eurove për subvencionim të ndërmarrjeve publike, që janë dëmtuar për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit.
“Me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit në mbledhjen e sotme, janë ndarë 20 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca e shëndetit publik dhe me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre”, është thënë në një komunikatë drejtuar mediave.
Pakoja Emergjente Fiskale kap vlerën e mbi 170 milionë eurove dhe synon t’iu ndihmojë sektorëve më të dëmtuar nga masat e marra me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Në përgatitje është thënë të jetë edhe pakoja e dytë fiskale e cila do të ketë në fokus rimëkëmbjen ekonomike. Kjo pako, sipas ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve në Kosovë, Besnik Bislimi, do ta ketë vlerën rreth një miliard eurove.