Templates by BIGtheme NET

Atëherë hë të shkretën, kush e ka fajin?

Nga Sonila Meço

Në 28 vjet të tregut të lirë, Shqipëria me pozicionin më të mirë gjeografik në rajon, me pasuri natyrore për frymë më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në Europë, ngec në pamundësinë e shfrytëzimit të burimeve të veta të bollshme.

Si për të dëshmuar kokfortësinë (me natyrë paaftësie, korrupsioni a naiviteti s’po dimë) të menaxhuesve në dekada për të mbajtur modele ekonomike, që nuk e shndërrojnë këtë përbërje të bollshme të pasurisë natyrore në mirëqënie për shqiptarët ja dhe raporti i fundit i FMN-së:

Shqipëria dhe Kosova renditen të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale” të tetorit 2018.

Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnje-Hercegovina, që ka qënë më poshtë se ne, ka mbërritur në 32% të mesatares së BE-së përsa i takon të ardhurave për frymë. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45% e mesatares së BE-së. Pas tij renditen Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë 37% e mesatares europiane. Në Shqipëri vetëm 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe për Konsumin Aktual Individual, që konsiderohet treguesi i mirëqenies materiale të familjeve në Europë, Shqipëria është e fundit, me 37% të mesatares së Bashkimit Europian. Kryeson Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56% e mesatares së BE-së, më tej Serbia, ku treguesi ACI është sa 47% e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina 42%.

Që pasuria natyrore të kthehet në mirëqënie duhet, që të përdoret në mënyrë efiçente, të sigurojë të ardhura, që më pas investohen në infrastrukturë e formim dhe edukim, algoritmi i vetëm i shndërrimit të kapitalit natyror në mirëqënie individi.

S’do na duheshin as koncesione PPP, as borxhe për të shlyer borxhe, se perëndia nuk na i ka kursyer mundësitë të ishim parajsë ku vihet e jo mallkim nga ku iket.

Pra pyetja është pse nuk mjaftuan 28 vjet të përdoret modeli ekonomik që shndërron pasurinë natyrore në mirëqënie? Dhe më e dhimbshmja, të na lënë pas vende pa vijë bregdetare si e jona, pa porte, pa burime, toka bujqësore dhe minerale si tonat, madje ende shtete, që mbahen nga marrëveshje të skaduara, apo ende nuk kanë një emër.

Kaq e thjeshtë: pse nuk u lanë kokat e mençura të formuara mirë e në shkollat më elitare botërore të hartojnë një model ekonomik, të majtë, të djathtë, të mesëm me pak, po ku mos ekzistojë më paradoksi: vendi me pasuritë më të mëdha për frymë të jetë i fundit për të ardhurat e mirëqënien materiale për frymë? E të japin një datë, një sinor fundor kohor kur i gjithë ky paradoks merr fund.

Se ka vetëm një “kleçkë të vockël” në këtë mes, pako gjë, vetëm burimet e modeli nuk mjaftojnë, duhen institucione të forta dhe mirqeverisje, por për këto dy të fundit po na thonë se po punojnë mirë, shumë më mirë se në 25 vitet e fundit. Atëherë hë të shkretën, kush e ka fajin?????

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto