Vendosni fjalën kyçe....

Kush do e pasojë Angela Merkel-in?


Tërheqja e Angela Merkel-it nga politika nuk është më një lajm suprizë. Humbjet e fundit politike kanë bërë që prej muajsh në korridoret e politikës gjermane të përflitet një tërheqje e mundshme e saj, gjë që sot është bërë zyrtare.

Merkel nuk do kandidojë më si kryetare partie në zgjedhjet e dhjetorit ndërsa ka thënë se ky do jetë mandati i fundit i saj si kancelare e Gjermanisë, periudhë pas së cilës Merkel nuk do kandidojë më për asnjë post në Gjermani apo Bashkimin Evropian.

Lajmi për tërheqjen e Angela Merkelit ka çuar në përvijimin e mundshëm të emrave që pritet të marrin drejtimin e partisë që prej dhjetorit, në kongresin e CDU-së që do mbahet në Hamburg.

Cilët janë emrat që pritet të zëvendësojnë Angela Merkel-in në krye të partisë?

Pas tërheqjes së kancelares Merkel nga kreu i CDU-së, është hapur gara për zëevendësin e saj. Ndër emrat që përfliten në korridoret e partisë janë ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, sekretarja e Përgjithshme e Partisë, Kramp-Karrenbauer dhe ish-lideri i koalicionit CDU/CSU në Bundestag, Friedrich Merz.

Jens Spahn

Ministri aktual i Shëndetësisë, Jens Spahn, është një nga emrat e mundshëm për të marrë kreun e partisë. Edhe pse në marrëdhëniet e tij me kancelaren Merkel ka pasur herë pa here përplasje, emri i tij shihet si rinovim i brezit të udhëheqësve në parti, duke qene se Spahn është vetëm 38-vjeçar dhe ofron një tjetër grintë dhe ritëm në drejtimin e partisë.

Annegret Kramp-Karrenbauer

56-vjeçarja Kramp-Karrenbauer është sekretarja e Përgjithshme e CDU-së dhe e besuara e Angela Merkel. Ajo ka qenë kryeministre e Saarlandit nga viti 2011 deri në vitin 2018 duke qenë gruaja e katërt në histori që ka drejtuar një land gjerman.

Friedrich Merz

Emri i Merz ka dalë në skenë ditët e fundit dhe ai është shtyrë për të kandiduar nga një pjesë e madhe e anëtarëve të partisë. Shumë prej zyrtarëve të partisë në nivele të ulëta e shohin emrin e Merz si më përfaqësuesin për CDU-në duke thënë se kandidimi i tij është një lajm shumë i mirë.

Merz kosiderohet si personi që mund të rinovojë partinë dhe që mund të udhëheqë Gjermaninë dhe rolin e saj në Bashkimin Evropian.

Tërheqja e Angela Merkel-it

Angela Merkel nuk do të kandidojë për t’u rizgjedhur si kryetare e partisë CDU, të cilën ajo e ka drejtuar për 18 vjet, ndërsa ka thënë se ky është mandati i saj i fundit si kancelare e Gjermanisë. Merkel e ka bërë të ditur qëndrimin e saj në një konferencë për shtyp nga selia e partisë të cilën e mori nga presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schauble.

Ky lajm vjen një ditë pasi partia e saj pësoi një tjetër humbje të madhe në zgjedhjet lokale, rezultat që ka shkaktuar tërmet në politikën gjermane.

Kancelarja gjermane, i cili ka kryesuar Bashkimin Kristian Demokratik në pushtet që nga viti 2000, pritej të konkurronte përsëri në kongresin e partisë në Hamburg në fillim të dhjetorit.

Por humbja e fundit në Hessen, e ka bërë kancelaren që të ndërrojë mendje. Në zgjedhjet e së dielës, partia e Merkel mori aty vetëm 23% të votave, që është një rënie drastike nëse kihet parasysh se në vitin 2013, kishte 38.3% të votave.

 “Vendimi që kam marrë është si pasojë e një reflektimi të thellë. Sot kam përshtypjen se mezi po prisja ditën që të jepja këtë sqarim. Mbaj përgjegjësi të plotë për gjithçka, për atë që ka shkuar mirë dhe atë që ka shkuar keq. Është koha për një kapitull të ri. Ky është mandati im i fundit si kancelare.”

Pavarësisht se nuk do garojë për kreun e partisë, Merkel nuk ka ndërmend të largohet si kancelare dhe pritet ta përfundojë mandatin e saj të plotë, që shkon deri në vitin 2021 ndërsa pas kësaj periudhe nuk do garojë më për asnjë post si në Gjermani ashtu edhe institucionet e BE-së. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bild.de


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *