Federata Shqiptare e Futbollit duhet t`i paguajë UEFA-s një gjobë të majme prej 100.000 euro, për shkak të një gafe.
Dy sezone më parë, FSHF liçensoi Tiranën për të marrë pjesë në Kupat e Europës, duke fshehur borxhet që skuadra bardheblu kishte. Mirëpo sipas rregullave të UEFA-s, asnjë klubi nuk i lejohet të marrë pjesë në garat që organizohen nga UEFA, nëse këto klube kanë detyrime të pashlyera.
Pas një hetimi të UEFA-s, rezultoi se Tirana kishte borxhe gjatë kohës që kishte marrë liçensën nga FSHF-ja për të luajtur në Ligën Europa, si fituese e Kupës së Shqipërisë dy sezone më parë.
Për këtë arsye, me një vendim të mëhershëm, UEFA nuk derdhi në arkat e Tiranës shumën financiare që klubi përfitonte nga pjesëmarrja në Ligën e Europës.