Vendosni fjalën kyçe....

“Dhjetori i dytë vazhdon”, studentët sot përshkallëzojnë protestën


Ditën e sotme studentët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës së tyre, që sot zhvendoset te godina e Parlamentit.

Derisa seanca parlamentare të mbarojë, studentët do të qëndrojnë aty dhe më pas do të zhvendosen drejt godinës së Kryeministrisë.

“Dhjetori i dytë vazhdon”, shkruajnë studentët në lajmërimet e tyre në rrjet për ditën e dhjetë të protestës së tyre.

Ditën e djeshme studentët zhvilluan protesta massive në të gjithë vendin, Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Durrës, Korçë e Sarandë.

Studentët në Tiranë u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa i bënë thirrje Edi Ramës që të plotësojë kërkesat e tyre dhe jo të mburret se po “bën dialog”.

“Rama premton të japë zgjidhje por harron se është pjesë e problemit. Ai s’ka kërkuar ende falje për ‘ngelësit’. Premton se do të bëjë më shumë se duam ne, por s’i bën. Po pse s’i bën o burrë? Do t’i mburret shqiptarëve se si e arriti këtë. E si e arriti këtë, me “dialogun”.

Merr edhe FRESH-in te Dudushi që të na mbushi mendjen. Nuk jemi budallenj!

 Mundet vërtet që ta dyfishojë arsimin? Mundet. Para pak ditësh u nxorr një lajm se janë hedhur dëm 957 milionë euro dëm.

Çfarë kërkojmë ne mor, 2%, 3 % kërkojmë. PD dhe LSI janë bashkë. Çfarë do PD dhe LSI sipas meje. Kërkon të largojë Ramën. Kjo s’na prish punë ne, ta bëjnë. Ne duam vetëm kërkesat tona.

Ne të jemi të bashkuar përpara synimeve tona. Ti qëndrojmë të njëjtës ide, mënyrë  e nuk na plas fare. Ne duhet të bëjmë pyetjen ‘What The Fuck’.”, tha një prej studentëve.

Një tjetër protestuese tha se nuk është qëllimi i studentëve të krijojnë kaos apo të bëhen shkak për dhunë. Qëllimi janë vetëm 8 kërkesat.

“Të hedhim sende mbi institucionet publike nuk është zgjidhje, shkatërrimi nuk është zgjidhje. Ky nuk është qëllimi ynë. Qëllimi ynë është të marrim ato që duam dhe jo të shkaktojmë kaos.”, tha studentja. 

Një pjesë tjetër e studentëve u vendosën përballë godinës së Ministrisë së Arsimit. 

Dje po ashtu u proceduan penalisht 25 protestues, mes tyre pedagogu i njohur Edmond Tupja dhe artisti Robert Aliaj, me akuzën se kanë djegur materiale të dëmshme për shëndetin në protestë. Pavarësisht procedimit penal, Tupja doli sërish në protestë.

Kryeministri Rama u bëri studentëve një tjetër ftesë për dialog studentëve. Përmes rrjeteve sociale, Rama tha se plotësimi i 8 pikave duhet të nisë pa humbur kohë por për këtë duhet të ulen sëbashku në bisedime.

Rama madje u përmendi studentëve edhe pushimet e Vitit të Ri, duke u thënë se kjo duhet mbyllur para tyre. Mirëpo studentët sërish e refuzuan thirrjen e tij. Ata thërrasin se nuk kanë ndërmend të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa ironizuan shfaqjen e kryeministrit mbrëmjen e së martës, me studentët e FRESSH-it në një kanal televiziv.

Gjatë pasdites, qytetarët janë solidarizuar me studentët dhe iu kanë sjellë ushqime që të vazhdojnë të rezistojnë por edhe të marrin energji. Një pjesë e tyre ishin banorë të Unazës së Re.

Pavarësisht temperaturave të ulta studentët vazhduan deri vonë me protestën e tyre. Për t’i rezistuar sadopak të ftohtit dhe temperaturave të ulëta që kanë prekur vendin, ata ndezën zjarr para Kryeministrisë dhe u mblodhën rreth tij.

“Nuk pranojmë përfaqësues, të gjithë këtu i kemi individualisht dhe përfaqësues të asgjëje, përveç vetes sonë”, tha njëra nga studentet.

“Ne kemi edhe policinë me vete. Një falenderim për policinë. Jemi të shqetësuar pse kryeministri na shikon si armiq. ne jemi këtu dhe ne po kërkojmë të drejtat tona normale”, u shpreh një tjetër student.

Sakaq, kërkesa e studentëve për rikonstruktim të konvikteve është miratuar nga qeveria Rama. 

Vendimi në fjalë u miratua dje nga Këshilli i Ministrave, ndërsa bëhet fjalë për një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane.

VKM-ja përcakton qartë se projekti për rikonstruksion të konvikteve kap një vlerë prej 3 milionë euro./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *