Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria, Gjermania bën thirrje të mos ketë përshkallëzime në Kosovë


Qeveria gjermane ka përsëritur të premten qëndrimin e saj ndaj Ushtrisë së Kosovës: “Ne e shohim si një proces ku duhet të përfshihen edhe serbët edhe NATO-ja”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme.

“Sipas informacioneve tona të deritanishme kemi të bëjmë me një proces që duhet të vihet në vijë dhe që në fund të këtij procesi Kosova duhet të ketë Forcat e Armatosura të tipit defensiv, të cilat do të jenë shumë herë më të vogla në numër se ushtria serbe”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul, në përgjigje të pyetjes që iu bë në konferencën e rregullt të shtypit, të premten (14.12) në Berlin. Më tej ai vijoi : “Do të dëshironim që ky proces të shoqërohej nga NATO-ja, duke pasur parasysh edhe stabilitetin në rajon”.

Zëdhënësi shfrytëzoi rastin të apelonte tek serbët dhe kosovarët që të mos e përshkallëzojnë situatën: “Apelojmë tek të dyja palët që miratimi i këtyre ligjeve të mos përdoret si pretekst për përshkallëzim të situatës. Për ne është e rëndësishme që këto dy vende të afrohen me njëri-tjetrin, të shkojnë drejt normalizimit, e të mos ndërmarrin hapa në drejtim të kundërt”, përfundoi Breul.

Zëdhënsi i ministrisë së mbrojtjes, Frank Fähnrich, tha se ky vendim i parlamentit të Kosovës nuk do të ketë pasoja mbi misionin e KFOR-it, detyra e tij është siguria e paqes në Kosovë, në bazë të rezolutës së OKB-së 1244. “Detyrat dhe kompetencat e Bundeswehr-it në kuadër të NATO-s dhe të KFOR-it nuk cënohen nga ky vendim”, tha Fahnrich./ DW


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *