Templates by BIGtheme NET

Bora zbardh vendin, pezullohet mësimi në disa shkolla (FOTO/VIDEO)

Prej disa ditësh reshjet e dëborët kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, duke shënuar edhe dëborën e parë për këtë vit në kryeqytet. Por sakaq janë shkaktuar edhe problemet e para në qarkullim.

Në Gjirokastër, Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi për ditën e sotme në të gjitha shkollat.

Këtë të mërkurë, sinoptikanët kanë parashikuar reshje shiu dhe bore në zonat malore dhe temperatura deri në -7 gradë.

“E mërkurë, 9 janar 2019:  moti do të jetë me  vranësira të dendura me reshje shiu në zonën perëndimore dhe rreshje bore intesive në zonat malore deri në lartësitë 400-500 metër në nivelin e detit. Era do të jetë  me drejtim Juglindje (SE) me shpejtësi 10-20 m/sek në bregdet. Valëzimi do të  jetë i forcës 5 me  lartësi  vale 1,5  – 2,0 metër në detet Adriatik dhe Jon. Temperaturat do të jenë me rritje në të dyja vlerat.

Temperaturat min dhe max:
Zonat  malore           -7/3°C 
Zonat e  ulëta           -1/10°C
Zonat  bregdetare    3/12°C”, njofton IGJEUM.

TIRANË

Prej disa ditësh sinoptikanët kishin paralajmëruar se do binte borë edhe në Tiranë. Reshjet e dëborës në kryeqytet kanë filluar rreth orës 2 dhe kanë zgjatur disa minuta duke krijuar edhe shtresën e parë të bardhë. Por duke qenë se toka është e tharë bora filloi të shkrijë shumë shpejt.

SHKODËR

Bora e dendur që ka rënë gjatë natës në Shkodër ka krijuar një shtresë 3-4 cm. 7 fadroma janë vënë në punë për të hapur rrugët e qytetit dhe shpërndarë kripë në rrugët dhe trotuaret e qytetit, pranë spitaleve dhe në hyrje të shkollave.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi njoftoi se “vëmendja është përqendruar në rrugët kryesore të qytetit dhe pastrimin e trotuareve në afërsi të institucioneve të rëndësishme si spitali, shkollat etj.” 

Punonjësit e Ujësjellës- Kanalizime kanë nisur punën me 7 fadroma dhe mjete të tjera që kanë në dispozicion për hapjen e rrugëve dhe për shpërndarjen e kripës.

Në shkollat e disa fshtarave në Shkodër nuk zhvillohet mësim. Në fshatrat Rragam dhe Sheldi të njësisë administrative Guri i Zi, lëvizja është më e vështirë dhe shkollat janë mbyllur.

Në fshatrat e njësisë administrative Shosh, shkollat gjithashtu nuk janë hapur nga vështirësitë e krijuara nga dëbora, e cila ka arritur deri 15- 20 cm. Rruga momentalisht është e kalueshme me zinxhirë.

PUKË

Ashtu siç ishte paralajmëruar reshjet e borës përfshinë të gjithë territorin e bashkisë Pukë.

Veç rrugëve të qytetit, bashkia njoftoi se po bën çfarë është e mundur që të mbahen të hapura dhe akset rrugore Qafë Qerreti-Qelëz dhe Qafë Qerret-Qerret. Reshjet e borës vazhdojnë të bien dendur.

GJIROKASTËR

Reshjet e borës mbrëmjen e kaluar kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, duke shënuar edhe dëborën e parë për këtë vit në kryeqytet. Por sakaq janë shkaktuar edhe problemet e para në qarkullim.

Bora ka mbuluar mëngjesin e sotëm qytetin e Gjirokastrës, ku lartësia e borës ka shkuar në rreth 15 cm.

Qarkullimi i automjeteve në qytet është pothuajse i bllokuar. Situata paraqitet e vështirë në të gjithë qarkun, sidomos në zonat malore ku gjendja paraqitej e vështirë edhe ditët e kaluara. Në disa shkolla është pezulluar mësimi.

PËRMET

“Jugu News” raporton se në Përmet gjithashtu paraqiten vështirësi.
Fshati Zhepë në Përmet krejtësisht i izoluar. Dy banesave u është shembur çatia si pasoje e peshës së dëborës.
Rrezikon shembja e çatisë së kishës së Shën Sotirit në fshatin Zhepë në Përmet, ku trashësia e dëborës arrin deri në 50 cm./Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto