Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakaj si Ministër të Jashtëm. Rama shprehet se Meta ka marrë peng Kushtetutën.
“Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet.”, reagon kryeministri Edi Rama.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”. Kjo është një pjesë nga deklarata e fundit e presidentit Ilir Meta.
Kreu i Shtetit shprehet më tej se ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme.