Templates by BIGtheme NET

Edi Rama: Ministër i Jashtëm do jem unë!

Kryeministri Edi Rama do jetë ministër i Jashtëm i Shqipërisë deri në zgjidhjen e çështjes në gjykatën e re Kushtetuese.

Kreu i qeverisë e ka njoftuar këtë me anë të një postimi në “Twitter” ku thotë se deri në formimin e Kushtetueses, do e mbajë ai postin e ministrit të Jashtëm.

“Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.” – shkruan Rama.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të kryesisë së Partisë Socialiste, pas ngërçit Rama-Meta për ndryshimin e ministrit të Jashtëm.

Partia Socialiste ka vendosur ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, siç lajmëroi pak ditë më parë me anë të një postimi në “Twitter”.

Rama do qëndrojë ministër deri në zgjidhjen e çështjes në Kushtetuese, ndërsa ndryshimet në kabinet do votohen në bllok nga ana e socialistëve.

Përveç ndryshimeve në qeveri, në mbledhjen e PS-së është diskutuar edhe organizmi i socialistëve në zgjedhjet lokale të qershorit 2019.

Para 4 ditësh, presidenti Meta e ktheu mbrapsht emrin e Gent Cakajt, i propozuar si ministër i Jashtëm prej kreut të qeverisë.

Në argumentet e tij, kreu i shtetit theksonte mungesën e përvojës, deklaratat e rrezikshme për ndryshimin e kufijve në Ballkanin perëndimor si dhe mungesën e certifikatës së sigurisë së Cakajt.

Pas kësaj, kryeministri Rama nisi një sulm në rrjetet sociale dhe në mediat televizive ndaj vendimit të Metës. Nuk mungoi në këtë sulm edhe gazetari Baton Haxhiu, i cili i kërkoi Metës të miratonte emrin e Cakajt si ministër dhe të mos e bënte gabimin historik duke mos e dekretuar atë.

Ky i fundit ka një master të marrë në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest dhe një tjetër të marrë në Belgjikë, ndërsa nuk ka asnjë përvojë profesionale dhe puna e para e tij është ajo e zv.ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto