Templates by BIGtheme NET

Dy standardet e Edi Ramës për 13-vjeçaren në Kavajë

Përdhunimi i dyshuar i një 13-vjeçareje në Kavajë padyshim ka shokuar të madh e të vogël në vend, jo vetëm për faktin që ndodhi, por edhe për shkak se ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet kryesore që supozohet ta trajtonin.

8 djemtë e akuzuar u arrestuan vetëm pasi lajmi u publikua në media, pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por përsa i përket qeveritarëve, ndeshemi me dy standarde: Fillimisht kërkohet fshehje e ngjarjes për të respektuar privatësinë e të prekurve nga kjo ndodhi, por që prej mbrëmjes së shkuar vetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e tij Elisa Spiropali e thyen këtë rregull duke publikuar jo me zë dhe figurë dy prindërit e vajzës së dhunuar.

E nisim nga fillimi:

Ngjarja u mbajt e fshehtë qoftë nga policia, prokuroria si edhe nga Drejtoria Arsimore. Askush nuk njoftoi se një përdhunim kishte ndodhur në Kavajë, derisha ish-kryeministri Sali Berisha publikoi denoncimin e disa qytetarëve, të cilët thonin se ishin në dijeni prej dy muajsh për ngjarjen, por policia nuk kishte vepruar duke e fshehur rastin.

Pikërisht pasi lajmi u bë publik, atëhere policia veproi duke arrestuar 8 djemtë.

Mbrojtëm privatësinë e të miturve”, kjo është arsyeja që autoritetet dhe në veçanti Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj trumpetoi gjatë kësaj kohe, për të justifikuar faktin që lajmi nuk ishte raportuar. Dhe vijmë te standardi i parë “Fshehja me justifikim ruajtjen e privatësisë”.

Së pari policia:Me kërkesën e të dëmtuarës dhe të ëmës dhe duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, si dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, e konkretisht: Neni 10 “Parimi i interesit më të lartë të fëmijës” -“Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit”.

Nenit 21 “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, Paragrafëve 2 dhe 4, ku përcaktohet se:

– Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.

– Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Policia e Shtetit, nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor ku pasqyrohen ngjarjet e datës 02.02.2019, ka pasqyruar shumë shkurt pa të dhëna e detaje ekzekutimin e masave të sigurisë dhënë nga Gjykata.”

Së dyti Lleshaj: Personat janë arrestuar para se të bëhej publike, por nuk ka ndërmarrë hapa për t’i bërë publicitet kësaj gjëje të shëmtuar, të neveritshme kriminale, ajo është e fundit në radhë përballë një vepre të tillë që na bën të ndihemi keq si shoqëri, nuk e bëri policia atë, ju bëni komision hetimore për atë, policia reagoi me profesionalizëm, nuk ka bërë publicitet, se nuk meriton publicitet, por përgjegjshmëri.”

Madje Lleshaj kërkoi edhe të mos bëhej politikë me rastin: “Ky e ata që bëjnë politikë apo audiencë me viktimën, meritojnë vetëm neveri.”

Së treti Spiropali: Kur deputetja e LSI-së Silva Caka e pyeti ministren se si do të reagonte nëse ngjarja do t’i ndodhte vajzës së saj, ajo u përgjigj “Ej, mos më bëj politikë me fëmijët. Vajzën time nuk guxon ta përmendësh këtu, llaxore. Mbylle moj gojën, më përmend vajzën ti mua këtu, qelbësirë”

Së kartëri Rama: Nuk kishte thënë asnjë fjalë deri dje.

Por pikërisht ata që kërkonin me aq ngulm që të mos raportohej ngjarja, mbrëmjen e kaluar përmes “Facebook”-ut të kryeministrit dhe nën logon e “ERTV”-së, transmetuan me zë dhe figurë familjarët e të miturës, babain, nënën dhe gjyshin. Dhe vijmë te standardi i dytë: “Shkelja e privatësisë”.

Mediat deri më tani ishin treguar të kujdeshshme duke mos e publikuar identitetin e të miturës, apo të prindërve të saj, por Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin mesa duket ka menduar se kishte ardhur koha t’i bënte personazhe publikë, duke harruar ligjin që aq shumë citonin “Mbrojtjen e privatësisë”.

Opozita reagoi ashpër ndaj këti veprimi dhe më në fund Edi Rama theu heshtjen duke shkruar në “Twitter”: “Po tani çfarë keni që lehni apo ju’a kemi fajin ne pse njerëzit besojnë tek ne e jo tek ju, hiena të politikës e të medias? Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit,krimet e fatkeqësitê, ju s’do ekzistonit,se s’keni hiç tjetër për t’u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit.”

Kështu Rama theu rregullin që të zgjedhurit e tij trumpetuan me të madhe. Për 13-vjeçaren s’ka më ruajtje të privatësisë, pasi prindërit e saj tanimë njihen nga të gjithë.

Nëse ruajtja e privatësisë së vajzës ishte vërtet arsyeja pse rasti nuk u bë publik që në fillim, atëhere pse Rama i bëri publikë prindërit? /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto