Templates by BIGtheme NET

“Bandat e kriminelët në shërbim të qeverisë, policia të rrijë larg protestuesve” – PD

Pas njoftimit të policisë për masat që do merren për protestën e 16 shkurtit të opozitës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Bardhi, ka deklaruar se përpjekja e ministrit Lleshaj dhe drejtorit të policisë, Veliu për të përhapur panik, është në fakt pasiguria dhe frika e Edi Ramës.

Ai tha se skenari për ta përdorur policinë si vegël politike është kriminal.

Ai tha se shqiptarët e dinë mirë se bandat dhe kriminelët janë me Edi Ramën si dhe paralajmëroi policinë të rrijë larg protestuesve dhe të mos pengojë lëvizjen e tyre.

Deklarata e Bardhit

Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi, zemërimi dhe revolta e shqiptarëve, Edi Rama, i vetmuar, shfaqi sot gjithë pasigurinë dhe frikën e tij, kur urdhëroi Policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit.

Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. 

Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt.

Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet.

Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore!

Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. 

Edi Rama ka vetëm një detyrë: t’i hapë rrugë zgjidhjes politike! Ai nuk mund të qeverisë më me mandate të vjedhura dhe kundër interesit të shqiptarëve! Koha për Edi Ramën është drejt skadimit!

I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij! Në të kundërt, Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi, njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar!

Ftojmë shqiptarët të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi dhe korrupsioni! Shumica dërrmuese e policëve janë me protestuesit, sepse ata duan që të luftohet krimi. Njësoj si ne të gjithë, edhe policët duan më shumë siguri për fëmijët e tyre, më shumë mundësi për ta dhe duan t’i rrisin ata në një vend normal.

Më 16 shkurt, së bashku do t’i hapim rrugë normalitetit europian në Shqipëri!

Të bashkuar askush nuk do të na ndalë dot!

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto