Templates by BIGtheme NET

Mesazhet që Rama u jep ndërkombëtarëve nëpërmjet mediave të tyre

Ndryshe nga kreu i opozitës, Basha, që ua përçoi mesazhet e tij ndërkombëtarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë teksa foli para qytetarëve në protestën para parlamentit, kryeministri Rama ka vendosur t’ua përçojë mesazhet e tij ndërkombëtarëve, duke përdorur mediat italiane.

Fillimisht kreu i qeverisë zgjodhi të jepte intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, dy ditë pas protestës së 16 shkurtit.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë iu përgjigj interesimit të gazetarit lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme. 

Ai tha se as ka ndërmend ta japë dorëheqjen dhe se nuk ka zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe se at do mbahen sipas kalendarit, në vitin 2021. 

“As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur.” – tha Rama.

Intervista e parë u pasua nga një tjetër, dhënë për mediat italiane, një ditë para protestës së 21 shkurtit.

Në kronikën e bërë nga televizioni i vendit fqinj, Rama shfaqet duke deklaruar se qeverisja e tij po e luftonte korrupsionin, kishte zhdukur prodhimin dhe trafikun e drogës ndërsa pohon se opozita ka kërcënuar se do djegë parlamentin.

“Po, korrupsioni ekziston, por anti-korrupsioni është shumë më i fortë se më përpara. Droga ka qenë një problem i madh por e kemi zhdukur dhe kjo jo sipas raporteve të qeverisë, por të “Guardia di Finanza”-s. Nesër kanë kërcënuar të djegin parlamentin.” – thotë Rama gjatë intervistës.

Ditën e sotme Rama dha intervistë për italianen e tretë, “Il Messaggero”.

Gjatë intervistës, Rama deklaroi se protesta nuk është e qytetarëve, por e opozitës së vjetër që është përzënë nga populli, ndërsa thotë se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij nuk është e vështirë të mbledhësh 15 mijë protestues në një vend me 4.2 milionë banorë.

Ndër të tjera kreu i qeverisë thotë se opozita e di se do i humbë zgjedhjet elektorale dhe për këtë arsye kërkon dorëheqjen e tij.

Ndërsa pohon sërish se qeveria e tij ka detyrën të përfaqësojë vullnetin e zgjedhësve dhe se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do mbahen në vitin 2021.

Në të treja intervistat e dhëna, Rama kujdeset të fajësojë opozitën për bllokimin e reformës në drejtësi, integrimin e vendit dhe se po bën politikë të vjetër, edhe pse ka 5 vjet e gjysmë si kryeministër i vendit dhe i ka të gjitha votat për të bërë gjithçka do. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto